Kompania ndërkombëtare Penzoil Trading ka fituar betejën ligjore përballë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Sipas një njoftimi të vetë kompanisë, që mban datën 27 maj, “Gjykata Administrative e Tiranës (Gjyqtarja Nafije Hasko), ka pranuar ankesën e paraqitur nga Penzoil kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për anulimin e vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik për tenderin e kolaudimit të pompave të karburanteve.
Gjykata Administrative e Tiranës anuloi vendimin e Komisionit dhe urdhëroi modifikime të pjesshme të kritereve të tenderit, pasi binin në kundërshtim me ligjin dhe me parimin e konkurrencës së ndershme dhe mos diskriminimin e konkurrentëve”, thuhet në njoftimin e kompanisë Penzoil. Gjithashtu, Gjykata hodhi poshtë kërkesën për marrjen e masave paraprake për tenderin, pasi aktualisht është i pezulluar.
Në shtator të 2018, kjo kompani depozitoi një ankesë pranë Komisionit, në lidhje me kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësonin kompanitë pjesëmarrëse, duke i konsideruar si diskriminuese, kryesisht për kompanitë ndërkombëtare. Por, pasi tejkaloi çdo afat ligjor, pas një periudhe 4-mujore Komisioni i Prokurimit Publik rrëzoi ankesën e këtij operatori, duke i dhënë të drejtën Ministrisë të vazhdonte me shpalljen e garës për këtë koncesion.
Dhënia me koncesion e shërbimit të kolaudimit të pompave të karburanteve është kritikuar edhe nga ekspertë si dhe nga operatorët e karburanteve në treg. (SCAN)