Reklame:

AKU kontroll ne kufi, Bllokohen 375 kg kafe nga Kosova dhe 21.6 ton qumesht pluhur nga Serbia

Nga kontrollet e kryera në Pikën e Inspektimit Kufitar Morinë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar dy ngarkesa produktesh me kafe dhe qumësht pluhur.

1. Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 375 kg “Kafe Espresso D-CAFFE”, nisur nga Kosova me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e AKU-së gjatë kontrollit në kufi kanë konstatuar se produktit “Kafe Espresso D-CAFFE” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë. Për rrjedhojë, nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011 “Mbi disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore” dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshme për konsum.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë, ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.

2. Nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 21,600 kg qumësht pluhur, nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e AKU-së në kufi kanë konstatuar se importuesi “ITAL GEL” nuk është i licencuar për shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore për konsum human (nuk ka licencën përkatëse për aktivitetin me Kod II-1B).

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU mori marrën masa administrative “Bllokim” të sasisë prej 21.6 ton qumësht pluhur, me urdhër kthimin e produktit në vendin e origjines.