Reklame:

Revoltat e Spaçit dhe Qafe Barit, te harruara ne tranzicionin 30 vjeçar Shqiptar – Perkujtohen ne Washington (Pjesa 2)

Presidenti Trump: “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”…

Nga Dalip Greca

…. Burgu u rrethua me forca të shumta policore, të burgosurit u lanë pa ushqim e ujë, mbi ta u hodhën si bisha forcat speciale të sigurisë. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp me egërsi nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Nxitësit, organizatorët dhe pjesëmarrësit më aktivë u ndëshkuan me rritje të dënimit, ndërsa katër prej tyre u dënuan me pushkatim. Katër martirët e revoltës së Spaçit ishin: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, ndërkohë, rreth 110 të burgosur u ridënuan me 25 vjet.
Lamaj foli edhe për dënimin me vdekje të dy gazetarëve Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Më pas ai përshkroi revoltën e Qafë Barit të 21 Majit 1984, e cila nisi nga pakënaqësia dhe dhunë, përshkroi solidaritetin e të burgosurve për të mos lejuar policinë nën drejtimin e Edmond Cajës, që të ridërgonte në minierë dhunshëm të burgosurit që nuk kishin realizuar normën e lartë. Kjo solli konfliktin e dhunën, arrestimet dhe pushkatime, ku Sandër Sokoli vdiq nga torturat, ndërsa dhjetëra të burgosur u rrahën shtazërisht, për të arritur kulmin me pushkatimin e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit.
Lamaj, ka denoncuar politikën shqiptare, institucionet e shtetit, që nuk kanë bërë asgjë për evidentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Ai i ka bërë apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë vëmendjen e duhur të kaluarës komuniste 50 vjeçare, që mbolli vetëm terror, vrasje, ndau shqiptarët me luftën e klasave …
Për Lamajn shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik. Ai kërkoi dënimin e krimeve komunizmit.
Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto, pasi vendosi buqetën me lule tek monumenti, përcolli mesazhin: “Nderojmë sot në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, kujtimin e viktimave të komunizmit, mes të të cilëve ka edhe shumë vatranë të nderuar, drejtues të saj dhe editorë të Gazetës sonë Dielli.
Për gjeneratat që vijnë pas, është shumë e rëndësishme njohja e tërë asaj epoke krimesh nga më çnjerëzoret. Ashtu, si këtu në Shtetet e Bashkuara, shoqëria shqiptare, partitë politike dhe mbarë strukturat e mendimit dhe opinionbërjes, duhet të qëndrojnë qartësisht në dënimin dhe distancimin nga këto krime, për të pasur një vështrim të sigurtë drejt së ardhmes.
Shpreh edhe njëherë respektin për Fondacionin e Viktimave të Komunizmit, me të cilin kemi një marrëdhënie të ngushtë, gjithashtu në mënyrë të veçantë përgëzoj organizatorin Pëllumb Lamaj, një personalitet me vlera të larta dhe i papërkulur, si dje në diktaturë, ashtu edhe sot në demokraci. Një falenderim i veçantë edhe për z. Mustafa Xhepa, drejtues i Shtëpisë së Lirisë Shqiptaro Amerikane.
Ju Faleminderit të gjithëve !”
Mustafa Xhepa, përcolli mesazhin në emër të Albanian-American Freedom House: Ai tha se: Eshtë nder dhe krenari për organizatën Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane të marrë pjesë në këtë cermoni të shënjtë, të organizuar nga heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, ku do të kujtohen dhe nderohen të rënët, të mbijetuarit dhe heronjtë që luftuan dhe përballuan për një gjysëm shekulli armikun më të tmerrshëm të njerëzimit – komunizmin.
Ashtu siç ka thënë Presidenti Trump “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”. Ju zgjodhët “Perëndeshën e Demokracisë” të vendosim kurora, me të drejtë; ajo është simboli i qëndresës dhe shpresës, kur studentët kinezë protestuan në sheshin Tiananmen dhe përbindëshi komunizëm i shtypi me tanke, por ëndrrën për liri nuk ua shoi dot, lufta vazhdon.
Dekada më parë, 21, 22 dhe 23 maj, 1973 në Spaç dhe 22 maj 1984 në Qafë Bari, në kushte krejt të ndryshme, të rrethuar me tela me gjemba e kulla vrojtimi, të ruajtur ditë e natë me mitrolozë e qen kufiri nga ushtarë dhe policë të përzgjedhur nga tufa e ujqërvë komunistë, u ngritën luftëtarët e lirisë, antikomunistët shqiptarë, në dy revoltat më masive të burgjeve politike kundër perondorisë së djallit. Me gjakun e tyre të pastër, heronjtë lyen flamurin e Kastriotit dhe mbi shqiponjën e lirisë hoqën prangën që ia mbante krahët lidhur, yllin e diktaturës.
Krimit iu shkundën themelet, aty mori fill ëndërra evropiane për demokraci. I tmerruar, regjimi i shtypi me gjak e hekur, pushkatime e ridënime, por etjen për liri nuk ua shoi dot.

Vijon neser…