Reklame:

Investimi ne Unazen Bujqesore te Myzeqese, ne ndihme te 15 mije fermereve

Në Unazën Bujqësore të Myzeqesë kanë përfunduar rreth 45% e punimeve, që përmbyllin investimet në infrastrukturë në zonën bujqësore të bashkive Lushnjë–Divjakë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se “në këtë fazë, po punohet me urat dhe veprat e tjera të artit përgjatë segmentit Imësht–Ngurrëz dhe po vazhdohet me mbushje, nivelim e rregullim në trupin e rrugës”.

Sipas FSHZH, nga Kashtëbardha në fshatin Fier i Ri po vazhdohet me shtresën e stabilizantit dhe rrulim për gati 5,4 km.

Ndërkohë në zonat e banuara po punohet me kanalet anësore, trotuarët dhe hyrje daljet e banorëve. Unaza Bujqësore e Myzeqesë lidh zonën jugore të Lushnjës me autostradën Lushnjë–Berat dhe me tregjet e Divjakës e Lushnjës.

Ky investim i qeverisë shqiptare që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do u shërbejë drejtpërdrejt 15.000 banorëve, që merren kryesisht me kultivimin e perimeve dhe zarzavateve. E gjithë zona karakterizohet nga një numër i lartë serrash. Tashmë produkti do të përdorë këtë rrugë për të arritur tregun e Lushnjës më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Ndërkohë brenda vitit synohet të mbarojë puna për segmentin Imësht-Ngurrëz e Madhe dhe pas 18 muajsh edhe segmenti Fier i Ri-Kashtëbardhë.

Segmente të tjera që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit janë Savër-Kadiaj, Qerret i Vjetër-Kadiaj, Fshati Qerret dhe Qerret-Qerret i Vjetër. (ATSH)