Reklame:

Progresi i Energjise, BB: Shqiperia, nen mesataren boterore per eficience te energjise

Shqipëria konsiderohet një vend me eficiencë energjie nën mesataren botërore. Ndonëse e gjithë popullsia ka akses 100% në energji elektrike dhe 80% e popullsisë kanë akses në forma të ndryshme për të gatuar, eficienca e energjisë përllogaritet 2.9, ndërsa mesatarja botërore është 5.27.

Këto të dhëna, pjesë e Raportit të Progresit të Energjisë 2019, tregojnë gjithashtu se, energjia e rinovueshme në Shqipëri zë 40% të totalit të konsumit të energjisë, ku raporti e citon në nivel të kënaqshëm, por ende larg objektivave. Një panoramë e ngjashme shihet në të gjithë Ballkanin. Megjithatë për këtë tregues, Shqipëria ka eficiencën më të ulët të energjisë në Ballkan.

Serbia ‘mund’ Shqipërinë për nivel më të lartë se mesatarja botërore të eficiencës së energjisë, përkatësisht 6.6, ndërsa ‘ngel të klasë’ për energjinë e rinovueshme, niveli i konsumit të të cilit është 21% ndaj totalit në të gjithë vendin. Për Bosnjë – Hercegovinën, raporti tregon sërish eficiencë më të lartë energjike se sa Shqipëria, përkatësisht 7.1; për Malin e Zi 5.27, mbi mesataren botërore; për Maqedoninë e Veriut në të njëjtin nivel 5.27, për Kosovën nuk ka të dhëna.

Raporti i Progresit të Energjisë 2019, i publikuar së fundmi nga Banka Botërore, tregon se përkundër progresit, arritja e numrit të njerëzve të mbetur pa energji, duke përfshirë ato që lidhen me rrjetet urbane të dobëta dhe të mbingarkuara, si dhe personat e zhvendosur dhe vendet e vështirë për t’u arritur, do të jenë sfiduese. Rreth 650 milionë njerëz do të mbeten pa akses të energjisë elektrike në vitin 2030, nënvizon BB.

Raporti ndjek progresin global, rajonal dhe të vendit në tre objektivat e SDG7: qasja në energji dhe gatim i pastër, energjia e rinovueshme dhe efikasiteti energjetik. Ai identifikon prioritetet për veprim dhe praktikat më të mira që janë provuar të suksesshme për të ndihmuar politikëbërësit dhe partnerët e zhvillimit të kuptojnë atë që është e nevojshme për të kapërcyer sfidat.

Ndër vendet me popullsinë më të madhe pa qasje në energji elektrike, Bangladeshi, Kenia, Myanmari dhe Sudani kanë bërë përparimin më të madh. Midis vendeve më pak të elektrizuara, Sudani i Jugut, Guinea-Bissau dhe Republika Qendrore e Afrikës elektrifikohet në rreth 3 pikë përqindje çdo vit që nga viti 2010. Kamboxhia, Afganistani dhe Nepali janë aktualisht ndër vendet më të shpejta elektrizuese.

“Ruajtja dhe shtrirja e ritmit të progresit do të kërkojë angazhim të fortë politik, planifikim afatgjatë të energjisë, rritjen e financimit privat dhe stimulime të përshtatshme politike dhe fiskale. Kombinimi i rrjetit dhe zgjidhjeve jashtë rrjetit, duke përfshirë ndriçimin diellor, sistemet e shtëpive diellore dhe gjithnjë e më shumë mini-rrjetet, do të jenë vendimtare. Çështja e besueshmërisë dhe përballueshmërisë nuk mund të injorohet. Një e treta e vendeve me deficit të aksesit përballen me më shumë se një ndërprerje në furnizimin me energji elektrike në javë. Energjia bazë ishte e papërballueshme për 40% të familjeve në rreth gjysmën e këtyre vendeve.”- citohet në raport.

Banka Botërore shton se, janë bërë përpjekje të rëndësishme për vendosjen e teknologjisë së energjisë së rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike dhe për të përmirësuar eficencën e energjisë në të gjithë botën. Sidoqoftë, qasja në zgjidhjet e gatimit të pastër dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme në prodhimin dhe transportin e ngrohjes ende mbeten shumë prapa synimeve.

Ruajtja dhe zgjerimi i ritmit të progresit në të gjitha rajonet dhe sektorët do të kërkojë angazhim më të fortë politik, planifikim afatgjatë të energjisë, rritje të financimit privat dhe politika adekuate dhe stimulime fiskale për të nxitur vendosjen më të shpejtë të teknologjive të reja.


Përmbledhje globale:

  1. Shkalla e elektrizimit global arriti 89%; numri i njerëzve pa akses të energjisë elektrike ka rënë në rreth 840 milionë, krahasuar me 1 miliard në vitin 2016 dhe 1.2 miliardë në vitin 2010.
  2. Sipas politikave aktuale, rreth 8% e popullsisë globale nuk do të kenë qasje në energji elektrike në vitin 2030, 90% e tyre do të jenë në Afrikën subsahariane.
  3. Përkushtimi më i fortë politik, planifikimi afatgjatë i energjisë, rritja e financimit privat dhe nxitjet adekuate të politikave dhe taksave do të jenë vendimtare për të arritur aksesin universal.  (Monitor)