Reklame:

Revoltat e Spaçit dhe Qafe Barit, te harruara ne tranzicionin 30 vjeçar Shqiptar – Perkujtohen ne Washington (Pjesa 3)

Presidenti Trump: “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”…

Nga Dalip Greca

…Sot ne përkulemi me nderim përpara këtyre dy revoltave heroike, që si margaritarë ndrisin faqet e historisë së kombit tonë dhe nga ky vend, tribunë e lirisë i bëjmë thirrje drejtësisë të dënojë masakrat e kryera nga kriminelët komunistë, përfundoi Xhepa.
Lekë Mirakaj, një nga të mbijetuarit e burgjeve të diktaturës, që e ka përjetuar revoltën e Qafë Barit, tha se ne jemi këtu për të përcjellë mesazhe të forta dhe të qarta. Populli ynë vërtetë ka nxjerrë heronj si Mic Sokoli, Adem Jashari e shumë të tjerë, por një popull i lumtur nuk ka nevojë për heronj.
Në fakt heronjë ishin edhe ata që përballuan dhe iu kundërvunë diktaturës.
Për Lek Mirakaj ky tubim nderon viktimat , pavarsisht nëse qeveria e sotme dhe ato të djeshme e pëlqejnë ose jo.
Duke folur për revoltat, Lek Mirakaj tha se shoqëria shqiptare, shteti dhe politika, duhet tu kushtojnë më shumë vemendje dhe t’u japin atyre vendin që u takon në historinë tonë Kombëtare. Ka qenë absultisht shumë e vështirë që të kërkoje liri e demokraci nën dhunë dhe i rrethuar me tela me gjemba, ata ishin heronj.
Duke u prononcuar për Zërin e Amerikës, Mirakaj tha: “Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit.  Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.

Ish i burgosuri i regjimit serb gazetari Shaqir Salihu dëshmoi për vuajtjet në burgjet e ish Jugosllavisë, ku dhuna ishte po njësoj, ç’ka do të thotë se diktaturat kudo shtypin liritë njerëzore. Nuk kishte familje shqiptare, tha Salihu, që të mos kishte një të burgosur në burgjet e tmerrshme të Nishit, Pozarevacit, Sremska etj. Ai tregoi se si u arrestua në vitin 1966 nga forcat e sigurimit të Rankoviçit dhe si e torturuan, duke ushtruar dhunë të egër mbi të dhe ish të burgosurit e tjerë.
Një tjetër ish i burgosur politik, Naim Stravecka, që përjetoi revoltën e Qafë Barit, sjell dëshmi drithëruse për dhunën e ushtruar nga policia dhe forcat speciale të diktaturës.  Ai e krahasoi regjimin diktatorial shqiptar me atë të Koresë së Veriut.
Naim Staravecka kujton se si nisi revolta, si shërbeu si shkas e më pas tregoi për barbarinë e dhunshme, për të cilën thotë se nuk e di nëse ka pasë ndonjë të ngjashme si kjo, nuk e di nëse janë trajtuar ashtu izraelitët nga nazistët?- pyeti zëshëm Stravecka.
Apeli i Naim Staraveckës ishte i qartë: Viktimat e diktaturës ende nuk kanë parë drejtësi. Unë nuk dua, tha ai – të mbetem një viktimë e përjetshme, dua drejtësi. Aspiratat tona ende nuk janë arritë. Ne kujtojmë dhe nderojmë bijtë e Shqipërisë që u persekutuan, por shohim që persekutorët janë në pushtet dhe nuk kërkojnë as falje. Ne duam drejtësi, apeloi Staravecka.
Marko Gjoni, një ish i burgosur qysh fëmijë, denoncoi dhunën e diktaturës, por edhe politikën dhe ekzekutivin e sotëm, që nuk kanë bërë asgjë për dënimin e fajtorëve dhe atyre që kanë kryer krime. Unë u arrestova 15 vjeç, tha ai, dhe komentoi përmes pyetjes: si ka mundësi që viktimat ende persekutohen nga ish perskutorët? Ai kërkoi që dënimet duhet të bëhen në mënyrë institucionale, duke gjykuar drejtësisht fajtorët. Enver Hoxha, kryekrimineli, ende ka gradat e Heroit! Kjo është absurde, tha ai. Gjoni bëri apel që njerëzit duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër krimeve të komunizmit, dhe jo të vihen ballëpërballë, siç përpiqet politika të bëjë.
Me interes u përcoll mesazhi i shkrimtarit Visar Zhiti, ish i burgosur politik. Mesazhin e lexoi editoria për gjuhën angleze në gazetën Dielli, Rafaela Prifti. Në mesazh shkruhej: Është akt i lartë dhe me rëndësi që ju mblidheni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Washington .D.C të superfuqisë më të madhe, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mbrojtjes së tyre kudo në botë, që të përkujtoni dhe të nderoni pranë Memorialit të Lirisë, kushtuar viktimave të komunizmit, dy revolta të të burgosurve politik në një vend të vogël dhe të largët, në Shqipërinë tonë.
Dy revoltat në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë Barit tronditën diktaturën së brendshmi dhe ishin të vetmet kryengritje në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste.
Të burgosurit u ngritën jo vetëm kundër dhunës së rëndë, po dhe kundër mbylljes së Atdheut në bunkerin e diktaturës, duke kërkuar liri, me ëndrrën që Shqipëria të bëhej demokratike.
Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës i mbyti këto revolta me gjak dhe hekur, duke vrarë dhe ridënuar të burgosur, madje duke dënuar dhe vetë burgjet. Ne ishim të dënuar në vendin e dënuar.
Dhe ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.
Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre, që tani janë pasuruar apo kanë detyra gjithandej a kanë emigruar në botën Perëndimore, jo në Lindje, jo, nostalgjikë të asaj që historia e hodhi tej duke arritur deri aty sa të guxojnë të persekutojnë sërish të persekutuarit e tyre të dikurshëm në forma të tjera mashtruse.
Ne shpesh ndihemi të nëpërkëmbur e të braktisur, edhe nga vetvetja e lodhur, prandaj kjo që bëni ju sot është dhe shpresë, dhe moral, dhe qortim, dhe qytetari e lartë, mbrojtje e bashkëvuajtësve tuaj në Atdhe.
Nga SHBA gjithëmonë na ka ardhë mbështetja ekzistenciale si komb, frymëzimet për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Aq më tepër tani, që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe SHBA-ja e shikon popullin shqiptar si aleat strategjik.
Me kurorat e luleve që keni sjellë sot, lutem që të bashkoni fjalët dhe urimet e mia!- Juaji-Visar Zhiti.
Mark Mrnaçaj, që u lind në kampet e internimit, i cili ka ardhë në këtë veprimtari përkujtimore së bashku me zonjën e tij, Kristinën, pasi vendosi një buqetë me lule në monumentin e viktimave, solli historinë e familjes dhe të fisit të tij, që u burgos, u internua, u përndoq për 45 vite me radhë. Marku solli historinë e babait të tij, Nikollës, që u burgos dy herë, për dy dekada, dhe pjesën e ndërmjetme, mes burgut të parë dhe burgut të dytë, e kaloi nëpër kampet e internimit, ndërkohë që një jave pas burgut të dytë, ai vdiq, si pasojë e torturave. Në apelin Mark Mrnaçajt, u kërkua drejtësi: Pranimi i krimeve prej atyre që ushtruan dhunë, kërkesa e faljes, pendesa, përbëjnë hapin e parë të pajtesës dhe shërimit të sëmundjes që mbartin shqiptarët, tha ai.
Anëtarja e Këshillit të Vatrës, një nga bashkorganizatoret e veprimtarisë, Merita B. Mc Cormack, ka përcjellë me emocion, poezinë e shkruar në burg nga Pëllumb Lamaj “Statuja e Lirisë”.
Një pjesë prej ish të burgosurëve politik kishin ardhë së bashku me familjarët e tyre. Lek Miraka kishte ardhë bashkë me zonjën e tij, Doloresin e vajzën Matildë; Naim kishte ardhë me djemtë, Jimmin dhe Garyn me bashkshorten Lisa, të bijën e njërit prej qëndrestarëve të burgjeve Fatbardh Kupit, birit të heroit të 7 Prillit-Abaz Kupit; ndërsa Çezar Ndreu, pinjoll familjes Ndreu, që kaloi jetën në internim, edhe këtë herë, ashtu si në përkujtesat e përvitshme, ku ai ka qenë i pranishëm, ka marrë me vete të birin, Marlinin, student në Michigan State University, ku ai studion për Bussiness administration.
– Qëllimi i ardhjes së Marlinit këtu bashkë me mua është që dhe gjenerata e tretë të jetë e informuar dhe e ndërgjegjësuar për fytyrën e vërtetë të komunizmit vrasës, që të mësojnë se çfarë kanë hequr gjyshërit, prindërit, shqiptarët në tërësi,- thotë për Diellin Çezari.
Veprimtaria e 20 Majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, u ndoq nga Zëri i Amerikës dhe dy editorët e gazetës DIELLI. Në fund pjesmarrësit kaluan një drekë se bashku, e cila u sponsorizua nga djemtë e Naim Staraveckës, Gary dhe Jimmy.
***
Një natë para veprimtarisë, me 19 maj dega e Vatrës në Washington, kishte vendosur një kurorë pranë monumentit.
(Dielli i Printuar, Maj 2019)