Reklame:

Vijon aksioni i sigurise ushqimore – AKU bllokon lokalin

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sërë produktesh si qumësht, ujë, pije freskuese, ketchup dhe majonezë në Durrës dhe Tirane. Drejtoria Rajonale e AKU në Durrës ka konstatuar se produktet  kishin mungesë etikete në gjuhën shqipe.

1.Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik ushtruan kontroll në subjektin “Lulzim Hajdini” me aktivitet “bar-kafe” dhe ”akullore” në zonën e Dajtit, ku u konstatua se produkti “akullore” prodhohej dhe tregtohej në mungesë të plotë të kushteve higjeno-sanitare dhe teknike-teknologjike.

Në ambjentin e vetëm ku magazinohej lënda e parë (për të cilat nuk dispononte asnjë fletë analizë) zhvillohej edhe aktiviteti i prodhimit në prezencën e sendeve dhe objekteve të tepërta dhe të panevojshme për procesin e prodhimit (si goma makine, pjesë makine, bombula gazi, dërrasa, kova plastike etj). Subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë, produkti tregtohej i pa-etiketuar, si dhe transporti i produktit ushqimor “akullore” kryhej me automjet privat dhe jo në makinë frigoriferike siç kërkohet nga ligji.

Për shkeljet e konstatuara ndaj subjektit (i cili u shoqërua në polici nga Sektorit të Krimit Ekonomik i Policisë së Qarkut Tiranë), AKU mori këto masa administrative:

Gjobë me vlerë 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
Gjobë me vlerë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
Gjobë me vlerë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të vetkontrollit,
Gjobë me vlerë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin,
Bllokim i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit “bar-kafe” dhe “akullore”.

2. Nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria Rajonale e AKU Durrës në subjektin “Xhevair Kurtaj” me aktivitet “bar-kafe” në zonën e plazhit, u konstatuan disa lloje produktesh, të cilat kishin mungesë etiketë në gjuhën shqipe (si birra, pije freskuese, majonezë, kechup, kapuçino pustinë, ujë dhe qumësht).

Subjekti ushtronte aktivitetin “fast-food” në kundërshtim me ligjin (ndërkohë që rezulton i regjistruar si bar-kafe) dhe nuk dispononte sistem gjurmueshmërie për produktet.

Për kundravajtjet e konstatuara, AKU mori masat administrative ndaj subjektit:

Gjobë me vlerë 50,000 lekë për etiketim produkti në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe rregullatore,
Gjobë me vlerë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
Bllokim i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit “fast-food”, duke qenë se subjekti ishte i regjistruar vetëm si bar-kafe.