Reklame:

Toka bujqesore per ndertime – Qeveria heq pengesat per transferimin ne troje dhe pajisje me leje ndertimi

Pas disa vendimeve radhazi për lehtësimin e procedurave të privatizimit të tokave shtetërore apo tjetërsimin e tyre, Qeveria po ndërmerr disa ndryshime në legjislacionin që rregullon kalimin e sipërfaqeve të tokave bujqësore në troje ndërtimi. Ne nje lajm nga Tv Scan jane zbardhur ndryshimet  që propozon Këshilli i Ministrave në Ligjin e vitit 2001,  “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”, të cilat tashmë janë hedhur edhe për konsultim publik.

Qëllimi i këtij projektligji është lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afateve kohore për kalimin e sipërfaqes së tokave bujqësore në tokë truall për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për struktura/objekte në funksion të agroturizmit si dhe veprimtari të tjera ekonomike.

“Nëpërmjet shtesave dhe ndryshimeve të propozuara bëhet e mundur që miratimi i kalimit të tokës bujqësore në kategorinë truall të realizohet në një kohë më të shkurtër, dhe sipërmarrësit të marrin më shpejt lejet e ndërtimit për fillimin e investimeve”, theksohet në relacionin shoqërues të draftit.

Me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve,  thekson Këshilli i Ministrave, propozohet që në piken 3, të nenit 11/1 miratimi i ndryshimit për sipërfaqet e tokave bujqësore deri në 5 ha që kalojnë në kategorinë tokë urbane (truall), të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë.

I njëjti ndryshim propozohet edhe për pikën 5/2 të këtij neni, por duke përfshirë në tipologjinë e ndërtimeve edhe strukturat/objektet në funksion të zhvillimit të agroturizmit, të cilat nuk janë të parashikuara në ligjin në fuqi. Ndërkohë që për sipërfaqet deri 30 hektarë do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do mund të marrë vendimin për kalimin nga tokë bujqësore në truall, duke i hapur rrugën pajisjes së subjekteve të interesuar me leje ndërtimi. (SCAN)