Një prej problematikave më të rënda të konstatuara në procesin e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi është mosplotësimi i dokumentacionit në mënyrë të rregullt, prej ish-komisioneve të ndarjes së tokës, në fshat.
Avokati i Popullit jep alarmin se fenomeni është masiv dhe është një prej shkaqeve që rreth 500 mijë prona mbeten ende pa u regjistruar nëpër zyrat e hiptekave
Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar parregullsi të rënda në procesin e regjstrimit të marrjes së tokave bujqësore në pronësi, gjë që është penguar në një pengesë masive për regjistrimin e titujve të pronësisë së familjeve përfituese.
Ne nje lajm te Tv Scan eshte zbardhur analiza e Avokatit të Popullit mbi këtë problematikë, sipas të cilës, kjo problematikë haset më së shumti në zonat veriore të vendit.
“Një tjetër çështje e konstatuar në procesin e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi është edhe mosplotësimi i dokumentacionit në mënyrë të rregullt, prej ish-komisioneve të ndarjes së tokës, në fshat. Ky procedim i parregullt, i kryer sidomos prej komisioneve të ndarjes së tokës në fshat në zonën verilindore të vendit, ka penguar regjistrimin rregullisht të akteve të marrjes në pronësi për çdo familje bujqësore, sipas nenit 196, të Kodit Civil, si dhe ka krijuar premisa për konflikte pronësie midis subjekteve”, thekson në analizë Avokati i Popullit.
Institucionet përgjegjëse ende sot e kësaj dite nuk kanë mundësuar plotësimin e dokumentacionit të pronësisë edhe pse, përcaktimi i procedurave për plotësimin e akteve të marrjes në pronësi është kryer me VKM nr.253, datë 06.03.2013, ndërkohë që afati është shtyrë vit pas viti, deri më 31.12.2018.
Kjo situatë e krijuar dhe trashëguar prej 27 vitesh kërkon impenjimin maksimal të institucioneve përgjegjëse të ngarkuara me ligj, për plotësimin e dokumetacionit si dhe dërgimin e tyre pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
“Janë 500 mijë prona të ndodhura në 359 zona kadastrale, të cilat ende nuk figurojnë të regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të zyrave vendore”, thekson Avokati i Popullit. (SCAN)