Ecuria ekonomike e vendit është e lidhur ngushtë me besimin e qytetarëve tek sistemi demokratik. Qendra për studime fiskale, Altax, ka realizuar një studim ku analizohet marrëdhënia mes këtyre dy elementëve.
Besimi matet edhe me nivelin e pjesëmarrjes në zgjedhje, që në rastin e Shqipërisë është në rënie, ndërsa kriza politike duket se po ndikon më tepër në uljen e tij.
Me më pak besim tek politika, institucionet dhe shoqëria në përgjithësi, bizneset detyrohen të shpenzojnë më tepër kohë dhe burime për t’u mbrojtur nga abuzimet e administratës tatimore, partnerëve, punonjësve dhe furnitorëve. Po ashtu, ata kanë më pak kohë për t’u kushtuar vëmendje zhvillimit të tregut dhe risive të produkteve ose proceseve të reja teknologjike.
Raporti i Altax analizon edhe gjendjen ekonomike të votuesve, nga ku ata bazohen për të votuar, ku duket se beteja për zhvillimin e ekonomisë nuk merret parasysh.
“Situata ekonomike kombëtare vërehet se ka ndikuar më pak në pjesën e votave të fituara nga secila parti në nivel lokal, pasi situata ekonomike lokale ka patur ndikim shumë më të fortë për votuesin. Në veçanti, vetëm rritja e të ardhurave kombëtare për frymë dhe normat e papunësisë mundet të kenë efekte disi më të fuqishme në rezultatet e zgjedhjeve në nivel kombëtar”, thuhet në raport.
Partitë qeverisëse që kontrollojnë edhe shpërndarjen e buxhetit, investojnë më tepër në ato zona ku kanë pushtetin dhe lënë në thatësi fondesh bashkitë e kontrolluara nga kundërshtarët, me qëllim që të forcojnë rezultatet e tyre zgjedhore. Ndërsa pushteti politik duket se ka një kontroll shtesë tek votuesit e shqetësuar për ta mbajtur punën e tyre.
Sipas ekspertëve të Altax, forcimi i demokracisë dhe pasqyrimi i paanshëm në media, veçanërisht në aspektin ekonomik, janë sfidat më të mëdha për të forcuar llogaridhënien e politikës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve.
Në të kundërt, rritja ekonomike që bazohet mbi këtë ekonomi të korruptuar do të dekurajonte rritjen reale të ardhshme dhe do të funksiononte vetëm për disa vite derisa ajo do të shkonte drejt stanjacionit. (A2)