Reklame:

Ushqimet dhe fruta – perimet ishin ne mesin e 12 mallrave me te importuar ne 3 mujorin e pare

Karburantet dhe cigaret ishin mallrat më të importuara në tremujorin e parë të vitit 2019, por gjithashtu ushqimet bashkë frutat dhe perimet ishin në mesin e 20 artikujve kryesore më të importuar në vend, prej të cilave doganat volën më së shumti të ardhurat.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në tremujorin e parë të vitit doganat arkëtuan 7.3 miliardë lekë nga importet e karburanteve dhe 4.6 miliardë lekë nga importet e cigareve. Të ardhurat nga zhdoganimi i naftës zunë 20.7 për qind të totalit të të ardhurave doganore, ndërsa arkëtimet nga cigaret 13.1 për qind të totalit.

Gjithashtu doganat kanë arkëtuar rreth 1.7 miliardë lekë nga akciza që u pagua nga karburanti i prodhuar në vend.

Megjithëse prodhimi vendas ka nisur të furnizojë tregjet në tremujorin e parë të vitit një pjesë e konsiderueshme e nevojave për konsum frutash dhe perimesh në vend u mbuluan nga importi.

Nga zhdoganimi i fruta dhe perimeve doganat arkëtuan 641 milionë lekë gjatë janar-mars duke zënë 1.8% te të totalit të të ardhurave doganore, teksa nga zhdoganimi i ushqimeve të përgatitura 864 milionë lekë. Ushqimet ishin produkti i tetë më i importuar në vend, përsa i përket rëndësisë në arkëtimet e doganave.

Po në fillim të listës, në vendin e tretë dhe katërt për nga importi u renditen metalet dhe energjia elektrike. Vendi përjetoi një thatësirë të tej zgjatur gjatë dimrit dhe në muajt e parë të vitit. Për pasojë vendi iu nënshtrua importeve të larta të energjisë elektrike në tremujorin e parë. Nga zhdoganimi i energjisë doganat arkëtuan 1.6 miliardë lekë në tremujorin e parë, duke zënë 4.6 për qind të totalit të ardhurave doganore.

Më tej në 10 mallrat më të importuara ishin makinat e përdorura dhe veshjet. Plastika, detergjentet dhe materialet e ndërtimit ishin ndër artikujt më të importuar në tremujorin e parë.

Ndërsa në listën e mallrave kryesore të blerë jashtë u përfshinë  këtë vit edhe makinat e reja. Doganat arkëtuan 351 milionë lekë nga zhdoganimi i automjeteve etë reja, ose 0.9 për qind të totalit te të ardhurave doganore për periudhën. (monitor)