Reklame:

Tkurret blegtoria, per te tretin vit radhazi kreret e bagetive kane shenuar renie

Numri i gjedhëve në vitin 2018 është 467.318 krerë, duke shënuar një rënie me rreth 1,7 %, në krahasim me vitin 2017 raporton INSTAT.

Në vitin 2018, numri i deleve është 1.863.837 krerë, duke shënuar një rënie me 3,2 % krahasuar me vitin 2017. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 73,3 % ndaj totalit të tufës.

Numri i dhive në vitin 2018 është 917.155 krerë, duke pësuar një rënie vjetore me rreth 1,7 %, në krahasim me vitin 2017. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 97,5 % ndaj totalit të tufës.

Në vitin 2018, numri i krerëve të derrave është 184.133 krerë, duke shënuar një rritje vjetore me rreth 2,2 %, krahasuar me vitin 2017. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 35,9 % dhe Shkodër me 27 % ndaj totalit të gjithë krerëve.

Prodhimi i qumështit në vitin 2018 është rreth 1,14 milionë ton, duke shënuar një rënie me rreth 1 %, në krahasim me vitin 2017. Struktura e prodhimit të qumështit, referuar vitit 2018 është: qumësht lope 85,1 %, qumësht dele 7,4 % dhe qumësht dhie me 7,5 %.

Në 2018, prodhimi i qumështit nga lopët është 973.526 ton, ose 0,9 % më pak, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi, në vitin 2018 është 2.916 kg për krerë, duke u rritur me 2,4 %, krahasuar me 2017.

Prodhimi qumështit nga delet, për vitin 2018, ka pësuar një rënie me rreth 2,5 %, krahasuar me vitin 2017. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 61,8 kg për krerë, duke pësuar një rritje me 0,6 %, krahasuar me vitin 2017.

Prodhimi qumështit nga dhitë në vitin 2018 është 0,9 % më i ulët se një vit më parë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit të dhive në nivel vendi është rreth 123 kg për krerë, duke u rritur me rreth 2 %, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 161 mijë ton, duke u rritur me 0,1 %, në krahasim me vitin 2017. (Monitor)