Reklame:

Maqedoni: Pjeshket perfundojne ne mbeturina, Fermeri i revoltuar i pret pemet

Pjeshket më të bukura nga Rosomani ne Maqedoni në vend se në tryezë përfunduan në rrugë për shkak të revoltës se nuk ka blerje.

Këto pemë asnjëherë më nuk  do të japin fryte, sepse sot pronari i tyre i preu.

“Deri në këtë gjendje e sollën bujqësinë. Kjo është “krasitje më e mirë”. Ilaçi më i mirë, që të mos nervozohemi më”, u shpreh bujku nga Rosomani.

Zona e Rosomanit është e njohur për nga prodhimtaria e pjeshkëve në Maqedoni, atje ka filluar sezoni i vjeljes së pjeshkëve. Prodhuesit nuk janë të kënaqur me çmimin e blerjes së produkteve të tyre. Thonë se çmimi është 15 denarë dhe se ky çmim nuk i mbyll shpenzimet e tyre.

“Nuk ka askush tani, vetëm kur u duhen vota, atëherë vijnë. Kur duhet për pjeshkat, për nevojat tona, askush nuk vjen”, tha bujku nga Rosomani.

Pikat e blerjes në Rosoman punojnë në mënyrë intensive. Paguhen mirë vetëm pjeshkët me cilësi të mirë – thonë atje. Situata është e ngjashme edhe në pjesën jugperëndimore të vendit. Në Prespë mollët e vjeljes së vitit të kaluar blihen për gjysmë denar, ndërsa sasi të mëdha përfunduan në lumenjtë ose në Liqenin e Prespës, përsëri, për shkak të revoltës.

Opozita problemin e sheh në procedurat burokratike për eksportin e pjeshkëve.

“Me sjelljen e procedurave të reja burokratike nga Ministria e Bujqësisë, është vështirësuar eksporti i pjeshkave sidomos për në Rusi. Për momentin situata është alarmante në Rosoman. Edhe një herë i bëj thirrje Zaevit dhe Nikollovskit i cili ende zyrtarisht është ministër i Bujqësisë, urgjentisht të dalin në terren dhe të gjejnë masa për ta zbutur këtë situatë”, u shpreh Cvetan Tripunovski nga VMRO-DPMNE, Inxhinier Bujqësor.

Një pjesë e prodhuesve thonë se pjeshkat blihen rregullisht, ndërsa ato që hidhen në Cërna Rekë janë të dëmtuara nga breshëri. Nga vetëqeverisja lokale thonë se nuk ka probleme me blerjen e pjeshkave dhe se të gjitha pikat e blerjes punojnë pa problem. Nga LSDM-ja thanë se blerja dhe shitja e produkteve bujqësore shënojnë rritje, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti blerja është rritur për 5,9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Siç thonë ata, i porositin VMRO-DPMNE-së që në vend se të përhapin gënjeshtra, të shohin dhe të mësojnë se çka është kujdes i vërtetë për bujqit dhe bujqësinë./rtv 21