Zona ekonomike amerikane në Kosovë, sipas parashikimeve të institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve, do të mund të tërheqë investitorë të shumtë amerikanë të cilët më pas produktet e tyre do t’i eksportojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian, i cili ka rreth 500 milionë konsumatorë.
Kjo raportohet nga “Radio Evropa e Lirë” që evidenton se krijimi i zonës ekonomike amerikane është bërë me një vendim të Qeverisë së Kosovës një vit më parë, por që ende nuk është funksionalizuar. Kjo zone është në Gjakovë dhe ka një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion ‘Evropa e Lirë’ se zona ekonomike amerikane ka tërhequr vëmendjen e disa kompanive amerikane që të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.
“Si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë tash e disa vjet promovojmë para investitorëve potencialë amerikanë këtë idenë e shfrytëzimit të Kosovës si një zonë ku ata do të mund të prodhonin produktet e tyre dhe pastaj të njëjta t’i eksportonin në tregun Evropës, në tregun e 500 milionë konsumatorëve të Bashkimit Evropian. Kjo do të vinte edhe në një moment të përshtatshëm kur tregtia e lirë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së nuk është në nivelin e duhur”, tha Zeka.
“Zona ekonomike amerikane do të ishte mundësi e mirë për të tërhequr këta investitorë potencialë amerikanë. Në bazë të informatave që kemi kjo (zona ekonomike amerikane) ka ngritur entuziazmin e kompanive, sidomos nga shteti amerikan i Iowa-s për të ardhur dhe për t’u vendosur në zonën ekonomike amerikane, kurdo që ajo të funksionalizohet dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, theksoi Zeka.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës tanimë ka dhënë rekomandimet rreth kësaj zone ekonomike dhe ato u janë dorëzuar autoriteteve kompetente.
Zeka shton se Kosova si një treg i vogël nuk mund të jetë shumë atraktiv për investitorët, prandaj sipas tij, duhet krijuar lehtësira ekonomike.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një dokument që përmban rekomandimet tona për funksionalizimin e asaj që njihet si qyteti ekonomik kosovar – amerikan. Disa nga rekomandimet që ia kemi kërkuar qeverisë që do t’iu ofroheshin investitorëve brenda kësaj zone do të ishin pushimet tatimore në të ardhura të korporatës diku prej 10 viteve, përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për mallrat që do të furnizohen nga furnitorët vendor e të cilat do të përpunoheshin brenda zonës amerikane” shprehet Zeka.
Lidhur me funksionimin e kësaj zone ekonomike Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, tha për Radion ‘Evropa e Lirë’ se janë duke vazhduar përgatitjet për vënien në funksion të saj .
Themelimi i zonës së veçantë ekonomike amerikane ishte konsideruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës si një dëshmi e partneritetit afatgjatë Kosovë – ShBA.
Investimet e huaja direkte në Kosovë nga viti në vit kanë shënuar rënie. Derisa në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja ishte në 440 milionë euro, në vitet e fundit vlera e investimeve të huaja mesatarisht arrin vlerën e rreth 250 milionë euro.