Gjethet e rrushit janë pjesë e pamohueshme e gatimeve më të shijshme mesdhetare. Ato janë tepër popullore në Shqipëri sidomos për dashamirësit e japrakut ose dollmave. Por gjethet e rrushit kanë edhe përdorime të tjera mirëbërëse.
Këto gjethe janë të pasura me vitamina dhe minerale. Ato i gjejmë të paketuara në enë të ndryshme, por varianti më i shëndetshëm është padyshim ai i freskëti. Gjethet e rrushit shijojnë më shumë kur zihen në avull ose ujë.
Vlerat kundër inflamacionit
Gjethet e rrushit luftojnë inflamacionin. Inflamacioni kronik është faktori kryesor i disa sëmundjeve si ato të zemrës dhe Alzhaimerit. Inflamacioni shkakton edhe artritin dhe sëmundje gastrointestinale. Stili i jetesës dhe gjenet janë kontribues në shfaqjen dhe zhvillimin e inflamacionit, por një ushqyerje e shëndetshme me ushqime që nuk shkaktojnë inflamacion është strategjia më e mirë për t’i qëndruar larg sëmundjeve të rrezikshme.
Vlerat ushqyese të gjetheve të rrushit
Njerëzit që janë të kujdesshëm me peshën e tyre, duhet të përdorin gjethet e rrushit, sepse ato përmbajnë shumë pak kalori. Në pesë gjethe gjenden 14 kalori. Gjethet e rrushit janë një burim i mirë ushqyesish. Aty gjenden vitaminat C, E, A, K dhe B6 përfshirë niacinën, hekurin, fibrën, riboflavinën, folatin, kalcium, magnez, bakër dhe mangan. Një racion me gjethe rrushi nuk përmban as yndyrë, as kolesterol dhe ka shumë pak natrium dhe sheqer.
Nivele të ulëta të glicemisë
Një racion me gjethe rrushi ka shumë ushqyes dhe ndikon në kufizimin e nivelit të sheqernave në gjak. Mbajtja nën vëzhgim e sheqernave në gjak është e rëndësishme, veçanërisht për ata që vuajnë nga diabeti e që duhet të kontrollojnë ndikimin e çdo ushqimi në nivelin e sheqerit. Një njeri i rritur dhe shëndetplotë duhet të ketë një nivel glicemie 100 ose më pak, rrjedhimisht gjethet e rrushit janë zgjidhje shumë e shëndetshme.
Pamjaftueshmëria kronike e venave
Një studim i vitit 2010 nga Departamenti i Dermatologjisë në Universitetin e Freiburg në Gjermani doli në konkluzionin se ekstraktet e gjetheve të rrushit zvogëlonin edemat tek pacientët që vuajnë nga pamjaftueshmëria kronike e venave, një sëmundje kronike që prish ekuilibrat e qarkullimit të gjakut. Kur gjaku has pengesa dhe nuk arrin dot në zemër, këmbët enjten dhe preken nga edema. Zvogëlimi i edemës ul barrën e rëndë në vena dhe sistemin vaskular.
Përdorimet kundër reumatizmës dhe sëmundjeve të tjera
Gjethet e rrushit, veçanërisht ato të rrushit të kuq, janë përdorur prej shekujsh dhe përdoren në mjekësinë bimore kundër dhimbjeve të kockave. Gjethet e rrushit përdoren si çaj kundër diarresë, hepatitit, dhimbjeve të stomakut, reumatizmës, dhimbjet e kokës dhe etheve. Ju mund t’i thani vetë gjethet e rrushit duke i lënë ato në diell. Gjethet e thara të rrushit mund të zihen në ujë dhe të pihen si çaj me mjaltë. Një grusht gjethesh të thata të thërrmuara të ziera në 250 ml ujë do të mjaftojnë për një kupë çaji.
Kujdes! Lajini gjethet e rrushit me ujë të bollshëm përpara përdorimit apo tharjes. Nëse keni blerë gjethe rrushi të paketuara, përpara përdorimit shpëlajini mirë për të hequr natriumin e tepërt.