Reklame:

Studimi: Si mosbesueshmeria në vaksina po lejon ”semundjet e vjetra” tek vendet e pasura

Besimi në vaksinat, një nga produktet mjekësore më efektive dhe më gjerësisht të përdorura në botë, është shumë i lartë në vendet e varfra por shumë i ulët në ato më të pasura, ku skepticizmi ka lejuar vazhdimësinë e sëmundjeve të tilla si fruthi sipas një studimi të publikuar të mërkurën.
Franca ka besimin më të vogël se çdo vend tjetër në botë në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, me një të tretën e popullsisë që mendon se vaksinat janë të pasigurta. Ndërsa shumica e prindërve zgjedhin të vaksinojnë fëmijët e tyre, nivele të ndryshme besimi tregojnë dobësi në disa vende për shpërthime të mundshme të sëmundjeve, thonë autorët e studimit duke rekomanduar që shkencëtarët duhet të sigurohen që njerëzit të kenë qasje në informacione të plota nga burime të besueshme.
Ekspertë të shëndetit publik dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thonë se vaksinat shpëtojnë deri në 3 milionë jetë çdo vit në mbarë botën dhe dekada të tëra kërkimesh dhe hulumtimesh kanë treguar vazhdimisht se ato janë të sigurta dhe efektive. Por që të arrihet një “imunitet kolektiv” për të mbrojtur popullsinë në tërësi, normat e mbulimit të vaksinave duhet të jenë përgjithësisht mbi 90% ose 95% dhe mosbesimi ndaj tyre mund ta zvogëlojë shumë shpejt këtë mbrojtje.

“Gjatë shekullit të kaluar, vaksinat i kanë kthyer në kujtime të largëta sëmundjet vdekjeprurëse infektive,” tha Charlie Weller, kreu i vaksinave në organizatën bamirëse të shëndetit Trust Wellcome, e cila bashkë-drejtoi studimin e Monitorit Global të Wellcome. “Është qetësuese që pothuajse të gjithë prindërit në mbarë botën po vaksinojnë fëmijët e tyre. Megjithatë, ende ka vende me norma të ulëta besimi tek vaksinat në botë”. Përhapja e fruthit, përfshirë shpërthimet e mëdha në Shtetet e Bashkuara, Filipine dhe Ukrainë, është vetëm një nga rreziqet shëndetësore që lidhen me besimin e ulët ndaj vaksinave. Në Afganistan dhe Pakistan, thashethemet e rreme për vaksinat e poliomielitit që janë pjesë e një komploti perëndimor, në vitet e fundit kanë penguar përpjekjet globale për të zhdukur sëmundjen paralizuese.

Studimi, i udhëhequr nga Wellcome dhe kompania e votimit Gallup, mbuloi 140,000 njerëz nga më shumë se 140 vende. Sipas tij 6% e prindërve në mbarë botën, ekuivalente me 188 milionë njerëz, konfirmojnë se fëmijët e tyre janë të pavaksinuar. Shifrat më të larta ishin në Kinë me 9%, Austria me 8% dhe Japonia me 7%. Studimi gjithashtu zbuloi se tre të katërtat e njerëzve në botë besojnë mjekët dhe infermierët më shumë se këdo tjetër për këshilla shëndetësore dhe se në shumicën e vendeve të botës, më shumë arsimim dhe besim më i madh në sistemet shëndetësore, qeveritë dhe shkencëtarët është gjithashtu një shenjë e besueshmërisë së të lartë ndaj vaksinës. Megjithatë, në disa rajone me të ardhura të larta, besimi është më i dobët. Vetëm 72% e njerëzve në Amerikën e Veriut dhe 73% në Europën Veriore bien dakord se vaksinat janë të sigurta. Në Evropën Lindore ajo është vetëm 50%. Në rajonet më të varfra, nivelet e besimit kanë tendencë të jenë shumë më të larta, me 95% në Azinë Jugore dhe 92% në Afrikën Lindore ku njerëzit janë të bindur se vaksinat janë të sigurta dhe efektive.

(Reuters)