Reklame:

Vendimi i ri/Si do te jepen me qira shpellat e Shqiperise per qellime turistike

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit vendimin për kriteret dhe procedurat e përdorimit të shpellave për qëllime turistike. Referuar vendimit, synimi është miradministrimi dhe qeverisja e kujdesshme, me qëllim mosdëmtimin e vlerave të tyre ekologjike, kulturore, historike, kurative, të gjetjeve paleontologjike, arkeologjike si dhe të mbishkrimeve prehistorike.

Shpellat që janë miratuar si monumente natyre administrohen nga strukturat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (këtu e në vijim AKZM). AKZM-ja, në bashkëpunim me institucionet kërkimore e shkencore, harton planin e menaxhimit të shpellave.

Për shpellat të cilat gëzojnë edhe statusin “pasuri kulturore”, AKZM-ja, në bashkëpunim me institucionet kërkimore e shkencore dhe strukturat përgjegjëse të specializuara për trashëgiminë kulturore, harton planin e menaxhimit të shpellave duke mbajtur në konsideratë kuadrin ligjor në fuqi për trashëgiminë kulturore.

Planet e menaxhimit për të gjitha shpellat, monument natyre, miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore jo më vonë se 2 vjet nga miratimi i këtij vendimi” përcaktohet në vendim.

Vendimi detajon edhe rastet që shpella jepet në përdorim kur:

a) është shpallur monument natyre;

b) institucionet kërkimore-shkencore përkatëse kanë dhënë me shkrim deklaratën se ka përfunduar eksplorimi dhe studimi i saj si dhe kanë dhënë opinionin për mundësinë e dhënies së shpellës në përdorim, për qëllime turistike;

c) ka përfunduar hartimi dhe miratimi i planit të menaxhimit të shpellës.

Mosplotësimi i njërit prej kushteve të mësipërme e bën të pamundur dhënien në përdorim të shpellës.

Në rast se shpellat e shpallura monumente natyre gëzojnë edhe statusin pasuri kulturore, përpara dhënies në përdorim merret mendimi i ministrisë përgjegjëse për kulturën.

Personi fizik apo juridik, që ka marrë në përdorim shpellën, gjatë ushtrimit të veprimtarisë për qëllime turistike, është i detyruar të respektojë tarifat e përcaktuara për hyrjen në shpella.

Operatori turistik, udhërrëfyesit turistikë, vendas ose të huaj, të certifikuar si dhe vizitorët janë të detyruar të respektojnë rregullat e administrimit dhe përdorimit të shpellave. Ndalohet marrja e objekteve të ndryshme nga shpella, prekja me dorë apo me mjete të ndryshme të mjedisit të brendshëm të shpellës, të stalagmiteve dhe stalaktiteve, ndotja e mjedisit të brendshëm, hedhja e mbeturinave, keqpërdorimi i shpellave dhe i infrastrukturës mbështetëse. (SCAN)