Reklame:

Çuçi ne qendren gjenetike te grurit Lushnje: Fara e vendit krijon avantazhe per fermeret​

Në fshatin Toshkëz të Lushnjës është një sipërmarrje unike në llojin e vet dhe e vetmja qendër private në Shqipëri, për përmirësimin gjenetik dhe prodhimin e farës.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, gjatë një vizite në këtë sipërmarrje, tha se, “përmirësimi gjenetik i bimëve është një nga aktivitetet më të rëndësishme shkencore në bujqësi, sepse krijon varietete hibride gjithnjë e më prodhuese, me cilësi më të lartë dhe rezistente ndaj sëmundjeve apo dëmtuesve”.

Sipas tij varietetet dhe hibridet e sintetizuara në vend kanë një përshtatshmëri më të lartë se ata të sjellë nga jashtë. Kjo do të bëjë që fermerët të marrin më shumë prodhim. Njëkohësisht ata reduktojnë kostot, pasi farën e vendit e blejnë më lirë, mënjanohen shpenzimet e transportit nga jashtë, taksat doganore etj.

Prej 8 vitesh këtu prodhohet farë gruri dhe misri nëpërmjet kryqëzimit me metoda konvencionale. Fara më pas u shitet fermerëve të interesuar për ta kultivuar.

Kjo sipërmarrje private, për vetë llojin e aktivitetit, po mbështetet nga Enti Shtetëror i Farërave, si dhe bashkëpunon me Universitetin Bujqësor të Tiranës. (ATSH)