Reklame:

Kosova paralajmeron Shqiperine e Maqedonine me tarife per peshkun

Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që kur Kosova ka vendosur taksës 100 për qind ndaj Serbisë. E një taksë thuajse të ngjashme Kosova mund ta vendos edhe ndaj dy shteteve tjera fqinjë. Taksa ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore është përmendur gjatë ditës së mërkurë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka paralajmëruar se Kosova mund të vë taksë edhe ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Në debatin për efektet e taksës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka paralajmëruar taksë edhe për shtete tjetra të rajonit.

Ai ka përmendur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dy vendet ndaj të cilave prodhuesit kosovarë kanë ankesa për disa taksa të vëna ndaj tyre.

“Unë veç i kam paralajmëruar MSA-në, për vendet tjera dhe Kosova do të ketë qasje të njëjtë me të gjitha vendet e CEFTA-së. Në dy takimet me Qeverinë e Shqipërisë kemi kërkuar largimin e dy taksave ndaj Kosovës dhe të mos bëhet biznes në Kosovë”.

Shala tutje ka treguar se edhe për Maqedoninë ka ankesa nga bizneset e Kosovës.

“Edhe për Maqedoninë kemi shqetësim nga prodhuesit kosovare sepse së fundi u është ndaluar  eksporti i prodhimit të lëndës së parë të peshkut. MTI është e gatshme të marra masa të caktuara ndaj shteteve të caktuara varësisht nga kërkesat e prodhueseve kosovarë”, ka thënë Shala.

Peshku acaron raportet mes shteteve 

Maqedonia e Veriut dhe Kosova që kanë mes vete vetëm nga një vijë kufitare, kanë vendosur që të qesin barriera për bizneset e mallrat.

Maqedonia tashmë ka vendosur që të bllokojë eksportin e peshkut nga Kosova. Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019.

Ky veprim i Maqedonisë ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Klubi i Prodhuesve në Kosovë ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Maqedonia e Veriut për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova.

KPK ka reaguar duke thënë se në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi. Në reagim ka theksuar se tashmë Maqedonia i shtohet listës së anëtareve të CEFTA-s që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën, pas Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

“Ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës. Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në

sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, thuhet në reagim.

Klubi i Prodhuesve ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë dhe të kërkojnë rishikimin e këtij vendimi nga Maqedonia e të tregohen arsyet e vërteta të ndalimit.

Kurse, Oda e Afarizmit të Kosovës shprehet shumë e shqetësuar me vendimin që ka marr Republika e Maqedonisë Veriore për ndalimin e shitjes së rasadit të Peshkut nga Kosova. Sipas tyre ky shqetësim është pranuar nga biznesi anëtar “Trofta Istog”.

“Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova. Me këtë rast Kompanisë Trofta pa paralajmërim të mëparshëm i është kumtuar marrja e këtij vendimi”, thuhet në kumtesën e OAK. Ata thonë se është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoni.

Kosova dhe Shqipëria nisin luftën tregtar më 1 korrik

Mbledhjet e përbashkëta Shqipëri – Kosovë, në vend të rezultateve, kanë prodhuar një luftë të re tregtare, e cila me gjasë, sipas lajmërimeve të Kosovës, do të nisë më 1 korrik.

Shqipëria duhet të plotësojë 6 kushte në lehtësimin e procedurave dhe tarifave me Kosovën, në të kundërt do ta vërë Shqipërinë të njëjtat barriera gjatë vitit.

Nëse qeveria e Shqipërisë, deri më datën 1 korrik 2019, nuk heq masat e përkohshme tarifore ndaj importeve të Kosovës, konkretisht ndaj patates, birrës, qepës dhe gjithashtu të lehtësojë pagesat nga tarifa e skanimit dhe Rrugës së Kombit, dhe disa certifikuara fitosanitare, Kosova do t’i kthehet reciprocitetit, duke rritur kostot ndaj eksporteve të Shqipërisë në Kosovë.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se Shqipëria dhe Kosova, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, kulturore dhe historike, do të duhej të bashkëpunonin shumë më fuqishëm në aspektin politik dhe ekonomik.

Ai ka thënë se Shqipëria është tregu më ideal që Kosova të eksportojë mallra, por sipas tij, pengesat e kanë bërë atë si shtetin më të vështirë për eksport. Sipas tij, për një kohë të gjatë pengesë kryesore ka qenë infrastruktura rrugore, e cila tashmë është tejkaluar me Autostradën e Kombit.

Edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, përmes një reagimi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për heqjen e të gjitha barrierave tregtare që prodhuesit e Kosovës po hasin gjatë eksportit të produkteve të tyre në tregun shqiptar.

Mbyllen bizneset 

Klima e biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është përkeqësuar së fundmi, teksa bashkëpunimi ekonomik nuk po përparon.

Ditë ma parë INSTAT raportoi se gjatë vitit 2018 numri i bizneseve nga Kosova në Shqipëri ishte 423, duke shënuar rënie me 11 për qind në raport me një vit më parë.

55 ndërmarrje nga Kosova e kanë mbyllur aktivitetin vitin e kaluar, ku 23 ishin në sektorin e prodhimit dhe 32 ishin në sektorin e shërbimeve.

Ndërmarrjet nga Kosova ishin në rritje vitet e fundit pas një përkeqësimi që u vu re në vitin 2015, por duket se situata ka nisur të përkeqësohet sërish. Edhe pse qeveritë e dy shteteve të njëjtit komb u angazhuan në mbledhje të përbashkëta për të rritur bashkëpunimin ekonomik, e kundërta shihet të ketë ndodhur.

Por, edhe të dhënat që ka siguruar Monitor.al tregojnë se edhe numri i bizneseve të Shqipërisë që veprojnë në Kosovë kanë filluar të bije. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë shuar 22 biznese të Shqipërisë që kanë vepruar në Kosovë. Kurse nga viti 2002 e deri më tash drynin bizneseve i kanë vendosur 84 biznese. Në këto të dhëna që janë të përgatitura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tregohet se aktualisht në Kosovë veprojnë 1 mijë e 297 biznese të Shqipërisë. Tregohet se gjatë vitit të kaluar janë regjistruara 191 të tilla, derisa këtë vit janë regjistruar 57 biznese. (Monitor)