Reklame:

Qytetaret e Ballkanit do te kene çmime me te lira te roamingut, ja tarifat e reja

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) njofton se nga 1 korriku çmimet e telefonatave përgjatë tërë Ballkanit Perëndimor kanë rënë dukshëm, ku qytetarët e këtyre vendeve do të jenë në gjendje të flasin, të hulumtojnë në internet, të dërgojnë SMS shumë më shumë e të paguajnë shumë më pak.

Sipas RCC-së, mesatarisht çmimet për thirrjet dalëse kanë rënë për 65 për qind, ndërsa për internet deri në 78 për qind, ndërsa në disa raste këto ulje shkojnë deri në 99 për qind.

“Çmimi për thirrjet dalëse në disa raste shkon deri në 0.08 euro, ndërsa çmimi për shfletim në internet (data) është ulur deri në 0.03 euro, varësisht nga operatori. Duke krahasuar çmimet në rajon deri më 30 qershor dhe që nga sot, vihet re se këto janë çmimet maksimale të vendosura nga rregullatorët”, thuhet në njoftimin e RCC-së.

Çmimet deri më 30 qershor për thirrjet dalëse të operatorëve kosovarë kanë qenë 1.75 euro për minutë, për thirrjet e pranuara 0.50 euro, për SMS 0.30 euro, kurse çmimi për internet (data) ka qenë 2 euro për MB.

Kurse, me marrëveshjen e fundit, që nis së aplikuari nga 1 korriku, thirrjet dalëse do të kushtojnë 0.15 euro apo ulje 91 për qind, hyrëse 0.047 euro apo ulje 90 për qind, një SMS do të kushtojë 0.04 euro apo 85 për qind, ndërsa një MB internet do të kushtojë vetëm 0.04 euro apo ulje 98 për qind.

Në Samitin e dytë Dixhital përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit.

Në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Dixhital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit që ishte kërkesë e Bashkimit Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar zbatimin e marrëveshjes

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valzdrin Lluka, kishte njoftuar se shteti shqiptar ka filluar zbatimin e marrëveshjes së roamingut me Kosovën.

Po ashtu, sekretarja e përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu kishte njoftuar se zbatimi i marrëveshjes për heqjen e roamingut Kosovë-Shqipëri do të fillojë nga 1 korriku.

“Shqipëria dhe Kosova përfitojnë nga 1 korriku, 85 për qind të reduktimeve të tarifës së telefonisë. Ministrat kanë firmosur një marrëveshje me 4 prill, dhe në marrëveshje thuhet se me 1 korrik do të fillojë zbatimi. Sigurisht zbatimi do të bëhet fazë pas fazës, jo çdo gjë do të ndodhë me 1 korrik, por do të vazhdohet kështu deri në sa tarifat të jenë 0 për vitin 2021, ky është lajm pozitiv”, ka thënë Bregu gjatë intervistës.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rezolutën për heqjen e tarifave të roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Kurse në muajin prill të 2018 në Samitin e parë Digjital të mbajtur në Shkup, ishte paralajmëruar ulja e çmimeve të romingut mes vendeve të Ballkanit. (Monitor.al)