Reklame:

Zhgenjen blegtoria, pse po zhduket interesi nga fermeret

Disa vjet më parë, sipërmarrësit i kthyen sytë nga bujqësia, kryesisht në fermat blegtorale. Zhgënjimi erdhi shumë shpejt. Shumë prej fermave të mëdha, tashmë janë mbyllur dhe mesa duket, edhe fati i të tjerave do të jetë i njëjtë. Kompanitë e mëdha agropërpunuese po mbështeten te lënda e parë që vjen nga importi, i cili shënoi rritje në 5-mujorin e parë. Shqiptarët i paguajnë prodhimet shtazore bazë shumë më shtrenjtë se rajoni.

Astriti merret me përpunimin e qumështit në një nga zonat e Malësisë së Tiranës që pas viteve ‘90. Ai e nis punën në baxhon e përpunimit të djathit më 1 maj dhe e mbyll në fund të tetorit. Të gjithë prodhimin e shet gjatë periudhës së dimrit në qytetin e Tiranës dhe, me të ardhurat, mban familjen. Ai nuk është optimist këtë vit, pasi nga maji dhe deri më tani, sasitë ditore të qumështit të siguruar kanë qenë më të ulëta se një vit më parë. Këtë sezon pune, ai siguron nga fshatarët një mesatare prej 5 kuintalë litër qumësht, në një ditë, ndërsa një vit më parë siguronte rreth 14-15 kuintalë në një ditë, gati 3 herë më pak.

Me qumështin ai prodhon nënproduktet, ku më kryesori është djathi. Për një kilogram djathë, ai thotë se duhen mesatarisht 5 litra qumësht. I pyetur për arsyet kryesore pse po siguron kaq pak qumësht këtë vit, Astriti shpjegon se vit pas viti, çobanët po pakësojnë tufat e bagëtive. Malësia e Tiranës përfshin Malin me Gropa, me lartësi mbi 1800 metra, Bizën dhe Martaneshin, ku prej klimës rriten kryesisht bagëti të imta dhe të leshta. Për shkak të vështirësive, shpjegon dhe Astriti, individët po humbasin interesin të merren me blegtori. Një pjesë kanë zbritur në zonat e urbanizuara, për një jetë më të mirë, ndërsa pjesa tjetër po pakëson tufat. Nëse situata do të vijojë kështu, atij do t’i duhet që shumë shpejt të kërkojë për një punë tjetër.

Ismail Beka, nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe ekspert në çështjet e bujqësisë, që në fillim paralajmëroi se investimet në blegtori në disa raste nuk u menduan mirë. Në shumë raste, u ndërtua një kompleks blegtoral me 200-500 lopë, apo 500-1000 bagëti të imta brenda një kompleksi stallash pa tokë bujqësore. Disa vjet më parë ai paralajmëroi që investimet e mëdha po përqendroheshin në investime moderne të ndërtesave të stallave, nëpërmjet importit të racave të bagëtive me kapacitete të larta prodhuese nga vendet europiane, u instaluan sistemet moderne të mjeljes, por ndërkohë që i gjithë ushqimi për mbarështimin e tyre duhej të blihej nga importi me kosto të lartë.

Sot, Beka jep argumentet në lidhje me tkurrjen e blegtorisë në stane. “Ata që dalin në stane e kanë jetën shumë të vështirë, apo njëlloj të vështirë sa ç’e kanë pasur gjithë jetën e tyre, pra nuk kanë pasur përmirësim cilësor apo mbështetje, përkundrazi janë vënë disa kushte të cilat nuk i lejojnë që ai të përpunojë në baxho të vogla, ta therë vetë bagëtinë në fshat. Janë forcuar rregullat dhe kushtet, të cilat nuk janë shoqëruar me programe mbështetëse, që këtyre njerëzve t’i përmirësojë cilësinë e jetës, apo t’ju krijohej një skemë më e thjeshtë për të përpunuar produktet që kanë”, – shpjegon ai. Megjithatë, sipas Ismail Bekës, problematike është pakësimi i bagëtive në fermat e mëdha.

“Problematikë, që nuk gjen justifikim, është dështimi i fermave të mëdha, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm gjedhi apo bagëtish të imta, dhe operojnë me një lloj standardi. N.q.s. tendenca e uljes do të jetë te këto lloj kompleksesh, atëherë do të jetë kambanë alarmi”,- shton ai.
Por, edhe te fermat disi më të mëdha, panorama duket se është e njëjtë. Edi Cinari nga fshati Hajmel i Shkodrës, ka në fermën e tij rreth 50 viça për mish. “Katastrofë” është fjala që ai zgjedh për të përshkruar ecurinë e fermës së tij. Cinari shpjegon se prej vitesh, numri bagëtive ka qenë në rënie, ndërsa fermat po shkojnë drejt përgjysmimit.

Investimet që ai ka bërë për të ngritur fermën kanë qenë të mëdha. Arsyet kryesore të tkurrjes, sipas tij, lidhen me vështirësinë për të gjetur treg për shitje. Edhe pse ka nisur sezoni, ka rënë kërkesa dhe gjithashtu, rendimenti. Për sa u përket kostove, ai thotë se janë ulur disi, duke qenë se ka filluar ta sigurojë vetë ushqimin për kafshët me anë të tokave që ka marrë me qira. Cinari sjell si faktor edhe mungesën e subvencioneve. Në rast se një prej kafshëve të fermës ngordh, duhet të merret vetë me asgjësimin dhe për të nuk merr asnjë lloj subvencioni nga shteti.

Blegtorët po heqin dorë

Agim Mile nga fshati Kozarë i Kuçovës vendosi gjashtë vite më parë të rriste lopë për qumësht, me një investim të mbështetur në kredi, pasi ishte marrë për vite me radhë me bujqësi. Nga prodhimi i kulturave bujqësore në sera, Mile kaloi te rritja e viçave.

E nisi në fillim me 10 krerë, ndërsa aktualisht ka 30. Edhe pse e ka rritur numrin e tufës, Mile thotë se ka në plan që ta shkrijë si punë, pasi ka shumë probleme. Në fermë, ata janë angazhuar familjarisht, por llogaritë nuk i dalin.

Agimi shprehet se do të ulë sërish numrin pasi nuk ka më mbështetje, ushqimet për bagëtitë janë të shtrenjta, shitja e qumështit është me çmim të ulët dhe si përfundim i gjithë aktiviteti del me humbje. Në mendimin e tij, subvencionet janë në ulje. Për fermën ai ka përfituar rreth 700 mijë lekë, por që sipas tij nuk dalin për asgjë. Mile shton se nëse nuk hartohen politika për të nxitur blegtorinë, askush nuk do të ketë më interes të merret me këtë sektor. Blegtorët kanë nisur të heqin dorë.

Ismail Beka nga GIZ shpjegon se këto ndryshime në rregullore apo legjislacion, mungesa e subvencioneve, apo ndryshimi i skemës së TVSh-së, e cila u kundërshtua nga fermerët, ul interesin e tyre për t’u marrë me blegtori. Edhe skema e re prek vetëm ata fermerë që dorëzojnë qumështin në fabrikë dhe shkon në favor të atyre që janë të lidhur me industrinë. (MONITOR)