Kriza politike ka stepur konsumin në gjashtë muajt e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se konsumatorët janë përqendruar kryesisht te blerjet bazike, duke shmangur konsumin e mallrave të qëndrueshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i popullatës është rritur në tremujorin e parë të vitit 2019 me vetëm 2.25%, duke shënuar rënie për të dytin tremujor radhazi, ndërsa treguesi shënoi ritmin e rritjes më të ulëtin që nga tremujori i dytë i vitit 2017.
Konsumi final i familjeve llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdoren direkt për të plotësuar kërkesat individuale të familjeve rezidente. INSTAT raportoi se, konsumi final i popullatës pësoi rënie me 0,76 % krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018.
Në një analizë më të detajuar që ka bërë Banka e Shqipërisë vlerësohet se ngadalësimi i normave të rritjes së konsumit në total lidhet me ndikime si nga “konsumi i popullatës”.
Banka vlerëson se nga të dhënat indirekte, ngadalësimi i rritjes së shpenzimeve konsumatore në tremujorin e katërt të vitit u regjistrua, kryesisht në kategorinë e konsumit të mallrave të qëndrueshme dhe pritet situatë e ngjashme edhe në tremujorin e parë 2019.
Nga të dhënat e dezagreguara të tregtisë me pakicë, indeksi “Pajisje elektro-shtëpiake, mobilie etj.” shënoi rënie në tremujorin e katërt 2018.
Ndërkohë që Banka e Shqipërisë lajmëroi një ripërtëritje të konsumit të popullatës në tremujorin e parë nisur nga përmirësimi i besimit konsumator, ecuria reale ka treguar krejt të kundërt. Konsumi final i popullatës jo vetëm që nuk ka mbajtur ritmet e rritjes së vitit të kaluar, por përkundrazi është ulur më tej.
Ecuria kohore e konsumit të popullatës reflekton ndikimin e krizave politike. Kriza politike dobëson dhe konsumin e mallrave me vlerë pasi agjentët e ekonomisë dhe njësitë familjare priren të mos bëjnë shpenzime strategjike në situata të turbullta. Konsumi, i cili është baza e rritjes në ekonominë tonë, e dëmton qarkullimin në ekonomi e për pasojë ndikon negativisht rritjen ekonomike.
Që pas krizës së vitit 2018, konsumi ka pasur ecuri të dobët, kryesisht edhe prej rikthimit të flukseve të larta të emigracionit dhe mungesës së stimujve fiskalë ekonomikë në krahun e shpenzimeve, duke i rritur pagat dhe pensionet për vite me radhë vetëm me ritmet e inflacionit. (monitor)