Reklame:

Ligj i ri per biokarburantet ne Shqiperi-Rilicencim per operatoret brenda 6 muajve

Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, që në thelb vendos rregulla të reja për tregun e biokarburanteve në Shqipëri. Ligji synon promovimin e prodhimit dhe të përdorimit të biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, në sektorin e transportit në Shqipëri, për të kontribuar në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në kontributin kombëtar të synuar për reduktim të gazeve me efekt serrë, si dhe për të kontribuar në përmbushjen e objektivave lidhur me përdorimin e burimeve të rinovueshme të përcaktuara në kuadër të Komunitetit të Energjisë.

Ky ligj ka si qëllim përdorimin e burimeve energjetike të rinovueshme, nëpërmjet nxitjes e kultivimit të bimëve energjetike, për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet respektimit të kritereve të qëndrueshmërisë për biokarburantet dhe biolëngjet, si dhe plotësimin e kërkesave për cilësinë e karburanteve në transport.

Krahas standarteve e rregullave të reja, në dispozitën tranzitore të projektligjit parashikohet se njësitë e prodhimit dhe të përzierjes së biokarburanteve, të cilat operojnë aktualisht në treg, janë të detyruara që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji, të plotësojnë kushtet përkatëse dhe të depozitojnë aplikimin pranë ministrisë përgjegjëse për hidrokarburet, për të përfituar licencën e prodhimit dhe të përzierjes.

Referuar projektligjit, veprimtaritë e importimit, të eksportimit dhe të tregtimit të biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, në formë të pastër ose në formë përzierjeje me nënprodukte të përpunimit të naftës bruto, realizohen nga impiantet e prodhimit të biokarburanteve ose të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, nga shoqëritë e pajisura me “Licencë” “Tregtimi me shumicë i naftës, gazit, nënprodukteve, përfshirë ato bio, si dhe lëndët djegëse, me kodin VIII.1.A” dhe nga rafineritë e naftës të pajisura me licencë koncensioni, sipas dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.

Shoqëritë e pajisura me licencë “Tregtimi me shumicë i naftës, gazit, nënprodukteve përfshirë ato bio si dhe lëndët djegëse, me kodin VIII.1.A” kanë të drejtë të realizojnë përzierje, pasi të jenë pajisur me “Licencë për përzierje”.

Shoqëritë e pajisura me licencën “Tregtimi me shumicë i naftës, gazit, nënprodukteve, përfshirë ato bio, si dhe lëndët djegëse, me kodin VIII.1.A”,  kanë të drejtë të ushtrojnë vetëm aktivitetin e tregtimit me shumicë të biokarburanteve të lëngshme ose të gazta dhe/ose lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, të pastra ose të përziera.

Ndërkohë, shoqëritë e tregtimit me pakicë të nënprodukteve të naftës, të pajisura me licencë, sipas dispozitave të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, kanë të drejtë të shesin me pakicë biokarburante, në formë të pastër ose të përzier me nënprodukte të përpunimit të naftës bruto, duke zbatuar standardet shqiptare.

Shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, të cilat tregtojnë edhe biokarburante, janë të detyruara që në instalimet e tregtimit ose në pikat e shitjes së tyre të afishojnë në reklamat dhe pompat e karburantit, në mënyrë të dukshme dhe të qartë, një shënim të posaçëm për:

-biokarburantet ose lëndët e tjera djegëse, të rinovueshme, që tregtojnë;

-diezelin e përzier me biodiezel, për lëvizje automjetesh, në rastet kur përqindja e lëndës bio është mbi nivelin e përqindjes së përcaktuar nga standardet në fuqi;

-benzinën e përzier me bioetanol, për lëvizje automjetesh, në rastet kur përqindja e lëndës bio është mbi nivelin e përqindjes së përcaktuar nga standardet në fuqi.

Gjatë ushtrimit të veprimtarive të prodhimit dhe të përdorimit të biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, synohet të arrihet objektivi që sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, të jetë jo më pak se 5 për qind e sasisë së konsumuar në sektorin e transportit në vitet 2018 dhe 2019. Nga viti 2020 e në vazhdim, kjo sasi do të jetë jo më pak se 10%.

Llojet e biokarburanteve:

Biokarburante”, lëndë djegëse për sektorin e transportit, në trajtë të lëngët ose të gaztë, të cilat prodhohen nga biomasa dhe veçanërisht:

-“Biodiezel” (diezel me prejardhje organike), metil-esteri yndyror dhe            etil-esteri i acideve yndyrore metilike, që prodhohen nga vajra bimore (biomasa) ose shtazore dhe nga dhjamra e mbetje të vajrave dhe dhjamra prej kafshëve apo vegjetale dhe fraksionet e tyre të përdorura.

-“Bioetanol”, etanoli që prodhohet nga biomasa ose nga fraksionimi i mbetjeve të shpërbëshme organike.

-“Biogaz”, lëndë djegëse e gaztë, që prodhohet nga biomasa ose fraksionimi i mbetjeve të shpërbëshme organike, industriale dhe urbane, të cilat mund të pastrohen e të përmirësohen, në cilësinë e gazit natyror, për t’u përdorur si biokarburant ose gaz druri.

-“Biometanol”, metanoli që prodhohet nga biomasa, për t’u përdorur si biokarburant.

-“Biodimetileter”, dimetileteri që prodhohet nga biomasa, për t’u përdorur si biokarburant.

-“Bio-ETBE” është Etil-Tercio-Butil-Eter, që prodhohet nga bioetanoli, për t’u përdorur si biokarburant. Përqindja, sipas vëllimit të Bio-ETBE-it, që përllogaritet si biokarburant në formën e pastër, është 47 për qind e totalit të tij.

-“Bio-MTBE”, Metil-Tercio-Butil-Eter që prodhohet nga biometanoli, për t’u përdorur si biokarburant në formën e pastër. Përqindja, sipas vëllimit të Bio-MTBE-it, që përllogaritet si biokarburant, është 36 për qind e totalit të tij.

-“Biokarburant sintetik”, hidrokarburet sintetike ose përzierja (mishela) e hidrokarbureve sintetike, që prodhohen nga biomasa.

-“Biohidrogjen”, hidrogjeni që prodhohet nga biomasa dhe/ose nga fraksionimi i shpërbërjes së mbetjeve organike, industriale dhe urbane, për t’u përdorur si biokarburant.

-“Vajra bimore të pastra”, vajrat që përdoren si lëndë e parë dhe që prodhohen nga bimë vajore energjetike, me shtypje, shtrydhje ose metoda të tjera, në gjendje natyrore ose të përmirësuara, por të pandryshuara kimikisht, kur përshtaten me tipin e motorit ose të pajisjes së përdorur dhe me kërkesat përkatëse të emetimeve të ndotjeve të gazit.

-“Biodiezel i përzier”, një karburant i përbërë nga biodiezel i pastër me diezel të prodhuar nga përpunimi i naftës bruto, në raport të caktuar, me qëllim përmbushjen e specifikimeve të standardit SH EN 590 në fuqi.

-“Biobenzinë e përzier”, një karburant i përbërë nga biometanol ose bioetanol të pastër me benzinë, e prodhuar nga përpunimi i naftës bruto, në raport të caktuar, me qëllim përmbushjen e specifikimeve të standardit SSH EN 228 në fuqi.

-“Biolëngjet”, lëndë djegëse të lëngëta, të prodhuara nga biomasa për përdorim për qëllime energjetike, pa përfshirë sektorin e transportit, duke përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen dhe ftohjen.

-“Lëndë të tjera djegëse të rinovueshme”, lëndët djegëse të rinovueshme, përveç biokarburanteve, që kanë prejardhje nga burime jofosile të energjisë së rinovueshme, të cilat përdoren për qëllime transporti, sikurse janë energjia e biomasës, e gazit të landfillit, e gazit të impianteve të trajtimit të ujërave urbane dhe të biogazit. (SCAN)