Reklame:

Pushime vetem per te pasurit, 81% e shqiptareve nuk perballojne dot as edhe nje jave!

Këto ditë termometri ka shënuar temperatura të larta në të gjithë vendin dhe vendi i fundit ku shumë prej nesh do të donin të ishin është zyra. Është e provuar shkencërisht që në ditë si këto produktiviteti i punonjësve ulet dhe alternativa më e mirë janë pushimet. Por për fat të keq 81% e shqiptarëve janë shprehur se nuk mund të përballojnë dot një javë pushime larg shtëpisë.

Në një anketë të zhvilluar nga Komisioni Europian mbi Cilësinë e Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për tu anëtarësuar, rezulton se në krahasim me to, shqiptarët nuk mund të përballojnë dot as një javë pushime, madje në përqindje shumë më të lartë edhe se vendet e rajonit.

Kështu për shembull, në Malin e Zi vetëm 66% e të pyeturve janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime, e ndjekur nga Maqedonia me 65%, Serbia me 60%. Ndërsa në Turqi, gjithashtu vend kandidat për t’u anëtarësuar, rreth 48% e të anketuarve kanë thënë se nuk mund të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendet me përqindjen më të lartë janë Greqia me 68% dhe Rumania me 66%, qytetarë që kanë shprehur pamundësitë e tyre për të shkuar me pushime.  Nga grafiku vëmë re  se përqindja më e larte e njerëzve që kanë shprehur pa mundësinë për të shkuar me pushime janë në vende që cilësohen si top destinacione për turizmin si Greqia, Qipro, Portugalia dhe Kroacia.

Pushime vetëm për të pasurit

Individët me të ardhura të ulëta mesa duket e kanë harruar çdo të thotë pushime. 96% e të anketuarve që i përket nivelit të parë të ardhurave (më të ulëtat) nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime, duke mbajtur sërish nivelin rekord në të gjithë Europën.  Edhe për individët që i përkasin grupit të dytë të të ardhurave, janë më shumë se 90% që  janë përgjigjur se nuk përballojnë dot pushimet. Ndërsa individët që i përkasin niveli të tretë (nga katër që janë gjithsej) janë përgjigjur se në i përballojnë dot një javë pushime në 88% të rasteve.

Por ndryshe janë përgjigjur ato që i përkasin  nivelit të katër të të ardhurave. Sipas anketës së Cilësisë së Jetës rreth 48% e individëve të pyetur kanë thënë se nuk përballojnë dot pushime  dhe për këtë kategori Shqipëria nuk thyen rekord. Përqindjen më të lartë e kanë serbët, ku sipas anketës rreth 51% e tyre kanë thënë se nuk shkojnë dot me pushime.

Rreth anketës

Në Anketën e Cilësisë së Jetës 2016 janë mbledhur të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme në të gjithë Europën, dhe për herë të parë janë përfshirë vendet kandidate si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Anketa në këto vende është zhvilluar në periudhën nëntor 2016 – mars 2017, me një kampion të zgjedhura rastësisht prej 1,000 banorësh për shtetet e vogla dhe 1300 banorësh për shtetet më të mëdha. Në të gjithë Europën janë zhvilluar në total 36,900 intervista. (MONITOR)