Reklame:

Pjesa shqiptare e liqenit te Ohrit tashme pjese e Trashegimise Boterore te UNESCO-s

Një tjetër Zonë e Mbrojtur shpallet pasuri e UNESCO-s. Liqeni i Ohrit, përfshirë pjesën shqiptare ka sot vëmendjen dhe statusin sit i UNESCO-s.

Në tre vitet e fundit nën ombrellen e UNESCO-s janë vendosur 3 zona natyrore, pyjet mbi 100-vjeçare të ahut në Rajcë, Shalë, së fundi edhe liqeni i Ohrit, fryt i punës disa vjeçare të ekspertëve të mjedisit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në plotësim të dosjes dhe kërkesave për të qenë pjesë e Trashëgimisë Botërore, UNESCO.

Sesioni i 43-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore zhvilluar në Baku, Azerbajzhan, miratoi me unanimitet kërkesën e Shqipërisë për regjistrim të pjesës Shqiptare të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Kurorërëzim i një punë të përbashkët ndërinstitucionale disa vjecare.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e konsideroi sot një lajm të shkëlqyer për Shqipërinë, vendimin për përfshirjen në UNESCO edhe të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit.

“Pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit nga sot është pjesë Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Krenarë që kemi mbështetur Shqipërinë për këtë arritje të rëndësishme përmes projektit IPA 2013”, shprehet Delegacioni i BE-së në Tiranë.

Liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetër të botës dhe liqeni më i thellë në Gadishullin e Ballkanit, konsiderohet një nga rezervat më të mëdha të biodiversitetit dhe njëkohësisht një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në kontinent. Kombinimi i vlerave të dukshme natyrore, me cilësinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore e bëjnë këtë rajon vërtet unik.