Reklame:

Ne 65% te lumenjve ne bote, gjenden nivele te larta antibiotikesh

Lumenjtë nëpër botë janë të mbushur me antibiotikë. Kjo është kryefjala e një hulumtimi të bërë rishtazi nga një grup ekspertësh të Universitetit të Jorkut. Afrika dhe Azia kanë nivelin më të lartë të lëndëve kimike në ujërat e tyre, por ky problem nuk i përjashton as ujërat në pjesët tjera të botës. Prandaj, hulumtuesit thonë se kjo çështje duhet të trajtohet si problem global.

John Wilkinson nga Universiteti i Jorkut me ekipin e tij të hulumtuesve, udhëtoi në 72 vende të botës për të testuar ujërat për 14 lloje antibiotikësh të zakonshëm.

Ai gjeti antibiotikë në 65 përqind të lumenjëve që testoi.

“Kishim raste kur niveli i antibiotikëve në lumenjë ishte 300 herë më i madh sesa niveli i lejuar. Ky rast ishte në Bangladesh. Gjetëm disa prej shkaktarëve të kësaj, që lidhen me mënyrën se si trajtohen mbetjet”.

Por nga vijnë gjithë këto kimikate? Wilkinson thotë se ende është e paqartë.

Është e vështirë të përgjithësohet në të dhënat tona. Krejt çfarë mund të themi është se kemi identifikuar pjesët ku niveli i këtyre kimikateve është shumë i lartë”.

Grumbullimi i të dhënave u mundëson hulumtuesve që të gjejnë mënyrën se si të pengohet kjo dukuri e rrezikshme.

“Për herë të parë mund të themi se “Po. Në këtë vend, në këtë lum, duhet të rikthehemi dhe të hulumtojmë më tej. Duke identifikuar se si ka ndodhur ndotja, do të nxjerrim përfundimin se çfarë duhet të bëjmë, cili është hapi i madh i radhës”.

Marrja e veprimeve është prioritet, sepse këta antibiotikë mund të jenë shkaku i përhapjes së baktiereve rezistente ndaj medikamenteve.

“Këtu mund të shihni nivelin e lartë të kimikateve. Por në kohën që jetojmë, këto baktere dhe infeksione mund të barten nga Nairobi në Londër brenda pak orëve.”

Wilkinson thotë se gjendja më e rënduar është në Afrikë dhe Azi, por nga rreziku nuk përjashtohen as Evropa, Amerika veriore dhe ajo jugore. Prandaj, hulumtuesit thonë se ky është një rrezik global. (VOA)