Reklame:

Zeri i Amerikes/Sfidat dhe shpresa per bujqesine e Myzeqese

Në krahinën e Myzeqesë, fermerët po përdorin tani disa skema të reja për prodhimin dhe eksportin e produkteve bujqësore.

Në mungesë të kreditimeve, ata po mbështeten aktualisht nga disa firma, që e marrin produktin për eksport me kontrata afatgjata.

Megjithatë, vështirësitë në terren janë jo të pakta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ilirian Agolli, ishte në Lushnje dhe përgatiti një material me këtë temë tek firma VegetAl e cila merret me eksportin e trangullit kornishon ne Austri. Firma ka aktualish rreth 50 ha toke te kultivuar me kete kulture.

Edhe pse dy tre orë shi e rrebesh në mes të korrikut si ai i mbrëmshmi mund të shkatërrojnë prodhimin e shumëpritur, fermerët e Myzeqesë nuk e humbin shpresën se pas lodhja e tyre e gjatë do të shpërblehet dhe se kontratat për tërheqjen e prodhimeve do të përmbushen në kohë.

“Kjo është hera e parë që e kultivoj këtë bimë dhe sapo kemi filluar, kemi pak ditë. Kemi mbjellë një sipërfaqe 1 hektarë, për të cilën kujdesen 17 veta. Kam menduar të marr 500-600 kuintalë” – thotë fermeri Ilir Bejtja.

Iliri si edhe dhjetëra fermerë të tjerë në krahinën e njohur të Myzeqesë midis lushnjes edhe Fierit, punojnë pa u ndalur me besimin se shitja e prodhimit të ri është e garantuar për shkak të konservimit për eksport, ndryshe nga shumë të tjerë, që mbeten peng i tregut të përditshëm ku rreziqet dhe luhatjet e çmimeve janë të mëdha.

“Nëse dal në tregun ditor me mallin tim, nuk jam i sigurtë as që do ta shes as që mund të rrijë atje. Te kjo firma kemi sigurinë e pagesave të rregullta, mallin e kemi të sigurtë dhe çmimi i tij është fiks dhe standard. Kemi lidhur kontrata afatgjata dhe mendojmë të bashkëpunojmë për shumë vite” – tha fermeri Ervin Alla.

Kompanitë e reja u ofrojnë fermerëve bashkëpunim të afërt, duke nisur nga zgjedhja e bimës dhe farës, ilaçet e ndryshme, mbulimi i një pjese të kostove paraprake dhe deri në tërheqjen e gjithë prodhimit sipas standarteve të parashikuara në kontrata afatgjata.

“Ne kemi mbi 57 fermerë që bashkëpunojmë, plus që kemi investuar edhe vetë në fushë të hapur 11 hektarë dhe në serë 3 hektarë. Kontraktimi me partnerët tanë austriakë është mbi 5 mijë tonë prodhim vitin e parë. Ne kontraktojmë me një çmim të njëjtësuar gjithë vitin për fermerët. Kjo iu jep atyre parashikueshmëri, siguri financiare më të lartë se tregu i freskët, i cili ka luhatje marramendëse” – thotë Eni Jegeni, administrator i Firmës “Vegetal Export”.

Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim modern të bujqësisë, thotë gazetari i njohur në krahinë, Shkëlqim Bylykbashi i përkushtuar prej vitesh informacioneve për bujqësinë, për të cilat zona ka shumë interes. Por, financimet janë ende të pakta, tha ai, dhe bankat e shumta në vend nuk e kreditojnë bujqësinë.

“Bankat nuk guxojnë të futen në këtë sistem sepse risku në fushën e bujqësisë është ende i lartë. Të financojnë, por kur vjen problemi tek kompanitë që duhet të sigurojnë prodhimin, kompanitë e sigurimit në tregun bujqësor janë shumë pak, ose futen vetëm në rastet e kërkesave të forta, pasi kriteret janë të tilla që në disa raste të penalizojnë në disa raste të favorizojnë” – thotë gazetari Bylykbashi, i agjencisë AgroNews.

Kontratat afatgjata dhe shitjet e sigurta i qetësojë fermerët dhe e shtojnë përkushtimin e tyre në punë, sepse heqin dorë nga mendësitë e vjetra të tregjeve të vogla dhe në anë të rrugëve, ku çmimet luhaten sipas humorit dhe efekteve stinore, apo edhe konkurrencës rajonale.

 

Ne në Kosovë kemi një kompani, e cila merret po ashtu me grumbullimin e trangullit dhe ka një marrëveshje me një kompani austriake për eksportimin e trangullit nga Kosova në Austri dhe në tregun e Bashkimit Europian. Me përvojën tonë e kemi ndihmuar kompaninë Vegetal, që të ndjekë udhën tonë si në prodhim ashtu edhe në veprimtari në këtë pjesë të njohur të Shqipërisë, e cila ka kapacitete të jashtëzakonshme në prodhime perimtare., dhe pse jo, edhe të eksportohet në tregun e Bashkimit Europian” – tha Bekim Ermenji, përfaqësues i një biznesi nga Kosova.

Specialistët pohojnë se tani ka ardhur koha që fermerët po zgjedhin vet të kultivojnë produktet me më shumë fitim dhe firmat me sa më pak rrezik.

Por parcelat e vogla të tokës bujqësore pengojnë makineritë dhe pajisjet moderne, thotë gazetari Bylykbashi i AgroNews, ndërsa SHBB-të (Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor) nuk po funksionojnë sa duhet, sepse njerëzit akoma kanë tmerr nga kujtimi i hidhur i kooperativave komuniste.

Ndërkohë, puna me krahë mbetet mbizotëruese, ndonëse të rinjtë nuk po e trashëgojnë më këtë profesion dhe po largohen nga vendi, tha ai.

“Kemi një mungesë të theksuar të krahut të punës. Fluksi i madh emigrator i krahut të punës ka filluar të japë efektet në bujqësi. Nuk gjen njerëz për të punuar. Parcela 1 hektarë ka nevojë së paku për punën e 20 vetëve, por është shumë e vështirë të gjenden” – tha zoti Bylykbashi.

Bashkimi Europian ka dhënë fonde dhjetëra milionë euro për bujqësinë shqiptare, por ato është e vështirë të mbërrijë deri te fermeri me gara të ndershme, thonë gazetarët dhe specialistët e terrenit.

Një pengesë e madhe në krahinën e Myzeqesë, pohojnë ata, është edhe mungesa e një laboratori shkencor për cilësinë ushqimore të bimëve.

Ndaj bashkëpunimi me firma europiane që kërkojnë standarte europiane për eksport është i rëndësishëm, sepse i sjell krahinës së famshme të Myzeqesë sfida të reja për punë dhe shpresa të mëdha për zhvillim.