Do ta pinit qumështin e devesë? Një numër gjithnjë e në rritje fermerësh devesh në Australi shpresojne se do te bindeni. Lauren Brisdbane është pronare e QCamel, kompanisë së vetme të certifikuar për të tregtuar qumësht deveje.
Prodhimi i qumështit të devesë është bërë një prej industrive në rritje në Australi dhe kërkesa për produktin është rritur si lokalisht ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Fillimisht devetë u sollën në Australi në vitin 1840 për të ndihmuar në eksplorimin e vendit. Tashmë atje ka rreth 1.2 milion të tilla.
Bzinesi i shitjes së qumështit të devesë ka nisur në vitin 2014 dhe që atëhere industria është rritur ndjeshëm. Në vitin 2016 vendi prodhonte 50 mijë litra qumësht deveje, ndërsa tashmë prodhimi vjetor ka arritur në 180 mijë litra në vit.
Një deve prodhon rreth 6 litra qumësht në ditë. Qumështi i devesë është konsumuar nga njerëzit prej më shumë se 6 mijë vitesh ndërsa vitet e fundit kërkesa për të është rritur ndjeshëm, pavarësisht kostos së lartë të tij.
Një litër qumësht deveje kushton 10 dollarë, shumë herë më shtrenjtë se qumështi i lopës. Megjithatë, pretendohet se qumështi i devesë sjell më shumë përfitime shëndetësore pasi është më i pasur sesa qumështi i lopës me vitaminë C, hekur, kalcium, magnez e potas.
Po ashtu, qumështit të devesë i atribuohet e mira e ndikimit pozitiv në lehtësimin e alergjive ushqimore e sezonale, në reduktimin e varësisë nga insulina dhe trajtimi i diabetit si dhe ndikimit pozitiv në problemet e tretjet.