Reklame:

Shiu i tepert ne kulturen e specit

Rreziqet që e shoqërojnë prodhimtarinë e specit
Periudha e mbjelljes së specit në fushë të hapur varet shumë nga rajoni i kultivimit. Kryesisht ne vendin tone mbjellja fillon fundin e e muajit prill dhe fillimin e majit.

Reshjet e tepërta të shiut kanë një ndikim të madh negativ, sepse kur një bimë është e tejngopur me lagështi, atëherë aty krijohet një ambient i përshtatshëm për shfaqjen e sëmundjeve. Kjo situatë ndodh njëherë në 6 deri në 7 vite dhe shkakton humbje në rendiment prej 40-50%.

Fazat e zhvillimit të specit janë të ndikuara nga këta faktor si më poshtë:
Speci kërkon më shumë nxehtësi krahasuar me domaten.

Në temperatura më të ulëta se 15ºC, speci pushon së zhvilluari, dhe po ashtu mbi 36ºC;

Rezultatet më të mira në kultivimin e specit mund të arrihen në toka të thella, të kulluara dhe të pasura me humus;

Speci është një shfrytëzues i madh i ujit, që kërkon shumë reshje shiu dhe ujitje deri 30-40 mm ose (30-40 L/m2) sasi uji.

Për shkak se rrënjët e specit kanë një fuqi të dobët të thithjes së ujit, speci kërkon më shumë ujitje; dhe varieteti i njëjtë lulëzon më herët nëse sipërfaqja e tokës është në pozicion nga jugu ose lindja krahasuar me pozicionet veri – perëndimore.

Reshjet e tepërta të shiut dhe ndikimi i tyre tek speci

Reshjet e tepërta të shiut mund të kenë ndikim në kulturën e specit, duke shkaktuar vyshkjen e bimës së specit, që rezulton më pas në rendiment më të ulët.

Sasia e tepruar e ujit

Speci kërkon nivele të qëndrueshme të lagështisë dhe toka shumë të kulluara që të zhvillohet dhe lulëzoj. Shirat e mëdha ose lagështia e tepërt në tokë mund të shkaktojnë kalbëzimin e rrënjëve.

Nëse rrënjët vërshohen për 5 deri në 6 orë, dhe temperaturat janë në mes 25°C dhe 32°C, bimët e specit janë në rrezik nga infeksioni i vrugut të specit (Phytophthora capsica), që shkakton vyshkje, kalbëzim të rrënjëve dhe vyshkjen e bimës në tërësi.

Kalbëzimi i rrënjës tek speci është zakonisht e shkaktuar nga “patogjeni i lindur në tokë”, (Phytophthora capsica).

Kjo sëmundje shpërndahet nëpërmjet ujit dhe është shumë e theksuar në pranverën e vonshme dhe verën e hershme, në periudhën kur paraqiten shira më të mëdha.

Simptomat
Simptomi më i dukshëm i kalbëzimit të rrënjës është kur një bimë e specit vyshket edhe në momentin kur toka përmban lagështi.

Me përparimin e sëmundjes, gjethet mund të thahen dhe ato që thahen mund të bijnë përtokë ose ndodhë që e tërë bima e specit të humbë gjethet e saj. Nëse e nxjerrim një bimë të infektuar, rrënjët kanë ngjyrë kafe të mbyllët ose të zezë dhe ato lehtë këputen, shkatërrohen.

Vështirësitë e rrënjëve

Rrënjët e bimës kanë nevojë për oksigjen që të mbijetojnë, sidomos qimet thithëse të rrënjëve, që janë përgjegjëse për absorbimin e ujit dhe materieve ushqyese nga toka. Oksigjeni ekziston në tokë në hapësira të vogla të mbushura me ajër ndërmjet grimcave të tokës.

Kur këto hapësira mbushen me ujë, qimet thithëse të rrënjëve “mbyten” në ujë”. Si rezultat, bimët vyshken, veçanërisht gjatë të nxehtit të ditës. Kjo shpesh është një problem i përkohshëm, dhe rrënjët e bimëve mund të ripërtërihen nëse toka thahet brenda një deri dy ditësh.

Kur toka qëndron e lagësht për një periudhë më të gjatë, sëmundja e kalbëzimit të rrënjëve mund të përhapet. Me këtë sëmundje, nëse njëherë një bimë vyshket, ajo nuk do të mund të ripërtërihet, por gjendja e saj vetëm do përkeqësohet.

Nuk ekziston ndonjë mënyrë që të shpëton bima e infektuar ose të ç’faroset kjo sëmundje, që jeton në tokë. Në fusha të lagështa, vetëm varietetet që janë tolerante ndaj lagështisë së tepërt dhe varietete të njohura e që janë rezistente ndaj kalbëzimit të rrënjës duhet të mbjellën.

Masat agroteknike

Këto masa parandaluese përfshijnë:

Mbjellja e farës së trajtuar me fungicide sistemike (Previcur ose Previcur Energy);

Bimët e reja të specit të ujiten shpesh dhe me sasi më të vogël të ujit;

Sistemi i ujitjes pikë pikë, shumë më i përshtatshëm për ujitje se sa sistemi i ujtijes në formë shiu, sepse i mban gjethet e bimës të thara, që ndihmon si parandalim në shpërndarjen e sëmundjes;

Strategjitë që përmirësojnë teksturën e tokës suaj dhe kullimi mund të ndihmojnë;

Shpërndarja e kompostit dhe plehut të stallës para mbjelljes së kulturës së specit dhe shfrytëzimi i shtrateve të ngritura nëse ju keni toka të rënda argjillore.

Të largohen bimët e infektuara para përhapjes së sëmundjes;

Qarkullimi bimor i specit

Mos të kultivohet në të njëjtin parcelë dy vite të njëpasnjëshme ose skenari më i mirë pas 3-4 vitesh në të njëjtën parcelë;

Nëse bimët e specit infektohen me këtë sëmundje, ato bimë duhet të largohen dhe shkatërrohen, dhe vazhdoni me kultivimin e bimës së specit dikund tjetër për disa vite me rradhë.