Shifrat janë mënyra më e mirë për të ilustruar mirëqënien e vërtetë të një vendi. Për Shqipërinë, shifrat nuk janë aspak bujare, pasi janë të detyruara të tregojnë realitetin. Dhe realiteti nuk është aspak me ngjyra. Një sërë publikimesh të ndryshme nga agjencitë e huaja, që ofrojnë një bazë të mirë krahasimore, tregojnë se, në shumë drejtime, shqiptarët janë të fundit në Europë, duke filluar që me atë më të rëndësishmin, ushqimin dhe konsumin në tërësi.
Eurostat zbërthen mirëqenien e shqiptarëve
Një shqiptar mesatar konsumon sa 38% e një europiani mesatar dhe padiskutim që për nga konsumi për frymë jemi të fundit në kontinentin e vjetër. Të dhënat më të fundit i bën publike pikërisht Agjencia Europiane e Statistikave dhe tregojnë se, ndër vendet e analizuara, përfshirë ato të rajonit, veç atyre të Bashkimit Europian dhe vendeve të CEFTA-s, jemi të fundit. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është përfshirë në këtë publikim.
Të dhënat janë alarmante dhe tregojnë se konsumi aktual për frymë në vendin tonë është plot 2.6 herë më i vogël se i një europiani mesatar, një italiani për shembull. Konsumi aktual individual është ndoshta indikatori më i saktë i mirëqënies, pasi shprehet në standardin e fuqisë blerëse, pra i standardizuar sipas nivelit të secilit vend. Krahasuar me vende si Norvegjia, një shqiptar konsumon 3.3 herë më pak, mesatarisht.
Norvegjia është dhe vendi me konsumin më të lartë individual, 25% mbi mesataren europiane, ndërkohë që ndiqet nga Islanda dhe Zvicra. Në vend të fundit, ndërkohë, qëndron Shqipëria e ndjekur nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut. Malazezët duket të jenë ata që jetojnë më mirë në rajon, me konsumin individual sa 57% e një europiani mesatar, madje edhe më shumë se një bullgar.
Pra, në terma më të thjeshtuar, në rast se një europian mesatar, një italian për shembull, mund të blejë 10 pako makarona me të ardhurat e tij mujore, një shqiptar mesatar, mund të blejë diçka më pak se 4 pako, dhe një malazez, thuajse 6.
Çmimet më të shtrenjta në rajon
Më herët, të dhënat e Eurostat tregonin se, Shqipëria kishte nivelin më të ulët të konsumit për frymë në Europë, sa vetëm 38% e mesatares europiane. Ndërkohë, të dhënat e reja tregojnë se, Shqipëria është më e shtrenjta në rajon sa i përket çmimit të ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, gjë që duket se shpjegon përse-në e konsumit më të ulët në Europë. Në vendin tonë, çmimi i këtyre produkteve është sa 79% e mesatares europiane, ndërkohë që për vendet e tjera të rajonit, kjo normë zbret, deri në masën 62% në rastin e Maqedonisë së Veriut.
Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë, ne duket t`i paguajmë ushqimet dhe pijet jo-alkoolike më shtrenjtë se një polak, bullgar apo rumun. Ndër nënproduktet, mishi duket të jetë më i shtrenjti në rajon.
Në Shqipëri çmimet e mishit janë sa 71% e mesatares europiane, më shumë se çdo vend tjetër në Europë. Çmimi i vezëve, djathit dhe qumështit është gjithashtu më i larti në rajon, dhe thuajse sa ç`është në Europë. Shqiptarët e paguajnë djathin, vezët apo qumështin sa 94% e një europiani mesatar.
Pijet alkoolike ndërkohë, një shqiptar i paguan ekzaktësisht sa një europian mesatar ndërkohë që duhanin e paguan sa 40% e çmimit që duhet të paguajë një europian. Në Europë, vendi më i shtrenjë për ushqimet dhe pijet jo-alkoolike është Norvegjia, që paguan 63% më shumë se një europian mesatar.
Azilantët na nxjerrin “zbuluar”
Pavarësisht gjithçkaje, treguesi më i mirë i mirëqënies së një vendi duket të jetë ai i emigrimit. Shqiptarët vijojnë të largohen masivisht nga vendi duke vijuar të kërkojnë azil ekonomik. Azilkërkuesit nga Shqipëria vijojnë të trokasin në dyert e vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat më të fundit të Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilkërkuesve, që i referohen muajit Prill, tregojnë qartë se, numri i shqiptarëve që kërkojnë mbrojtje në Europë është ende mjaft i lartë, pranë 2000 kërkesave në muaj.
Shifra e saktë fiksohet në 1946 dhe është 10% poshtë nivelit të muajit të kaluar, por 8% mbi nivelin e muajit Prill të vitit 2018. Kjo do të thotë se, krahasuar me një vit më parë, tendenca e shqiptarëve për të aplikuar për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian është rritur ndjeshëm, paçka se do të duhej të kishte ndodhur e kundërta. Përgjatë këtij viti, shifra mbetet më e ulët, por sërish mbi nivelet e muajve të 2018-ës. Së fundmi, duke filluar që prej verës dhe vjeshtës së vitit të kaluar, shifrat e azilkërkuesve shqiptarë nëpër Europë janë rritur në mënyrë të papritur. Janë rreth 11649 shqiptarët që sipas autoriteteve europiane presin nëpër dyert e Europës që t`iu pranohet kërkesa për azil.
Vendimi më i fundit i Holandës për të rikthyer regjimin e vizave me Shqipërinë lidhet pikërisht edhe me numrin e lartë të azilkërkuesve dhe emigrantëve nga Shqipëria. Sipas Parlamentit dhe qeverisë holandeze, shqiptarët e kanë keqpërdorur regjimin e liberalizimit të vizave. Shqipëria është vendi i 4-t më i varfër në Europë, sipas një klasifikimi të ri të revistës “Global Finance”. Klasifikimi merr si kriter bazë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, të shprehur në Paritetin e Fuqisë Blerëse. Pra, prodhimi kombëtar konvertohet në standardin e secilit vend, se çfarë mund të bësh me aq para në secilin prej 191 vendeve të botës.
Me PBB në 14.102 dollarë për frymë në Paritetin e Fuqisë Blerëse, Shqipëria renditet e 96-ta në botë. Krahasuar me rajonin, vetëm Kosova është më keq se ne, e renditur e treta në Europë. Mali i Zi me $19908, Serbia me $18567, Maqedonia e Veriut me $16455, Bosnje Hercegovina me $14164, si dhe Kosova me $12154 mbyllin klasifikimin e rajonit sipas pasurisë. Dy vendet e vetme më të varfra se Shqipëria dhe Kosova në Europë duket të jenë Ukraina dhe Moldavia, thotë “Global Finance” në klasifikimin e vendeve më të pasura të botës.
Në krye të klasifikimit global qëndron Katari me 134 mijë dollarë për frymë të shprehur në Paritetin e Fuqisë Blerëse. Në fund të klasifikimit global qëndron Burundi me vetëm $727 për frymë.
Të kursesh në Shqipëri është luks
Vetëm 1 në 4 shqiptarë ka arritur të kursejë diçka gjatë vitit të fundit. Në këtë përfundim arrin një studim i publikuar së fundmi nga Banka Botërore. Studimi në fjalë është një grumbull i madh statistikash sa i përket gjinive dhe ka për synim të nxjerrë diferencat kryesore mes meshkujve dhe femra në 200 vende të ndryshme të botës, në indikatorë nga më të ndryshmit. Në profilin dedikuar Shqipërisë, vihen re një sërë të dhënash mjaft interesante.
Një ndër to është padiskutim ajo që i referohet kursimit. E madje, edhe këtu meshkujt dhe femrat kanë diferencë. Femrat e kanë më të vështirë të kursejnë. Studimi është kryer në formën e një ankete dhe tregon se gjatë vitit të fundit vetëm 24% e grave apo vajzave mbi 15 vjeç, kanë arritur të kursejë para.
Te meshkujt kjo normë ngjitet lehtë, paçka se mbetet sërish në nivele mjaft të ulëta, vetëm 28%. Kështu, sipas Bankës Botërore, situata është e qartë; mesatarisht vetëm 1 në 4 shqiptarë e ka luksin të kursejë. Në vendet e tjera të botës kjo normë është ndjeshëm më e lartë. Për shembull, në Kanada norma ngjitet në 80%, në Kroaci 44% për femrat dhe 50% për meshkujt, në Danimarkë rreth 80%, Francë 63%, Gjermani 74% për femrat dhe 78% për meshkujt, Kosovë 33% dhe 46% dhe Etiopi në rreth 60%. Në rajon, vetëm Bosnje Hercegovina është më keq se Shqipëria, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera kanë një normë mbi 30%.
Të varfër, por jo sytë nga Zoti
Por pavarësisht se janë të varfër, shqiptarët nuk duket se e kërkojnë tjetërkund shpëtimin. Në vendet e pasura njerëzit falen më pak, ndërsa në vendet e varfëra njerëzit falen më shumë. Këtë gjë e ilustron me shifra, PewResearch, një ndër qendrat më të mëdha të kërkimit në botë, që i nxjerr rezultatet e 102 vendeve të botës në formën e një ankete. Ky është rregulli i përgjithshëm, pra pasuria duket se i largon njerëzit nga Zoti, ndërsa varfëria i afron. Shqipëria, përbën përjashtim, pasi figuron si në listën e vendeve më të varfra, ashtu edhe në listën e vendeve më pak besimtare, ose më saktë në listën e vendeve ku njerëzit falen ose luten më pak në ditë.
Të dhënat tregojnë se, vetëm rreth 14% e shqiptarëve deklarojnë se falen ose luten çdo ditë. Nga ana tjetër, prodhimi kombëtar për frymë i shprehur në termat e fuqisë blerëse bën që Shqipëria të jetë një rast i veçantë, së bashku me vende si Vietnami apo Kina.
Pra, paçka se shqiptarët janë të varfër, refuzojnë t`i kthejnë sytë nga Zoti, për të kërkuar diçka më shumë apo thjesht për të kërkuar një ngushëllim. Për nga norma e besimit, nëse këtë të fundit e masim me faljet ose lutjet e përditshme, Shqipëria ngjason me vendet më të zhvilluara të botës, si Danimarka, Gjermania, Zvicra apo Mbretëria e Bashkuar, vende të cilat kanë ndër nivelet më të ulëta të besimit dhe njëkohësisht ndër normat më të larta të PBB për frymë. Për nga niveli i pasurisë, Shqipëria do të duhej të ishte krah vendeve në pjesën e sipërme të grafikut, si Ekuadori, Tunisia, Maroku, etj. (Nga Roel Korkuti/SCAN Magazine)