Drejtoritë Rajonale të AKU të qarkut Vlorë, Berat dhe Durrës ushtruan kontrolle në 4 subjekte, me aktivitet “Bar-Restorant” dhe “Magazina ushqimore”, nga ku u konstatua ushtrimi i aktivitetit të pa licencuar, mungesa e kushteve higjieno-sanitare, etiketim i parregullt i produkteve, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP) si dhe produkte me afat përdorimi të skaduar, bëri me dije në faqen e saj zyrtare Autoriteti i Kontrolli Ushqimor.
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori 10 masat administrative “Gjobë” me vlerë totale 5 milion lekë për katër subjekte si dhe “Bllokim produkti” me destinacion asgjësimin për produktet e pasigurta të konstatuara në një subjekt, vazhdon njoftimi.
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “S.S.” Kuçovë, Berat, me aktivitet “Tregti me shumicë të artikujve të ndryshëm ushqimor”, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë pa u pajisur me licensën përkatëse. Gjatë kontrollit të kryer u evidentua se kushtet higjeno-sanitare në ambientet e përpunimit ishin të papërshtatshme, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara dhe një pjesë e madhe e produkteve (pije freskuese, ujë dhe birra) ishin vendosur në ambjentin e jashtëm të ekspozuara ndaj agjentëve atmosferik dhe dëmtuesve të ndryshëm. U evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (miell) si dhe produkte të papajisuara me etiketë në gjuhën shqipe (oriz, kos frutash dhe pije energjike). Nga shqyrtimi i dokumentacionit u konstatua se subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte, si dhe nuk dispononte planin e vetkontrollit (HACCP).
- “Gjobë” me vlerën 1,500,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licensën përkatëse,
- “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
- “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi,
- “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP),
“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
- “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për etiketim të produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin,
- “Bllokimi i produkteve” me afat të kaluar përdorimi, me qëllim asgjësimin e tyre.
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Bar-Restorant” Vlorë, u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse, si dhe nuk dispononte planin e vetëkontrollit (HACCP).
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative:
- “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse,
- “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP).
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Bar-Restorant” Dhërmi, Vlorë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse.
Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masën administrative:
- “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse.
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “E. D.” me aktivitet “Bar-Restorant” Ishëm, Durrës, u konstatua se ambientet e përgatitjes së ushqimeve ishin tërësisht të hapura dhe të ekspozuara ndaj pluhurave, mungonte magazina për mbajtjen e lëndës së parë, si dhe punonjësit nuk ishin të pajisur me libreza shëndetësore.
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masën administrative:
“Gjobë” me vlerë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare.