Domatja “Zemër kau”
Specia: Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Shqipërinë e mesme njihet e kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara e saj mbahet e trashëgohet brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht, zë rreth 10-15% të sipërfaqes së domates në zonë.
Përshkrimi:
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje të shkurtra dhe masë gjethore mesatarisht të dendur; lulëri e thjeshtë, me 3-5 fruta në lulesë. Frutat janë në formë zemre, nga ka marr edhe emrin, me peshë 250–350 g, nuk përjashtohen rastet 600-700 g. Frutat kanë ngjyrë rozë, kurse nga ana e bishtit e ruajnë edhe në pjekje ngjyrën jeshile; ata janë tulor dhe kanë shije të mirë e të veçantë.
Kultivimi:
Domate me cikël mesatarisht të gjatë. Mbillet në fushë në gjysmën e parë të prillit, deri në fund të majit. Vjelja e prodhimit fillon pas 10-12 javë, në korrik dhe vazhdon deri në tetor. Në traditën e zonës mbahen me 4-5 lulesa prodhimi/bimë.
Rendimenti: rreth 35 -40 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans (Mont) de Bary) dhe temperaturave të ulëta. Jep prodhim të mirë e të qën- drueshëm. Pëlqehet nga konsumatori.
Negative: Në vite të veçanta, me lagështi ajrore, frutat kanë plasaritje të lehta radiale. Nuk i qëndron transporteve të gjata; kërkon ambalazhim të veçantë.
Përdorimi: E freskët për sallata dhe gatime të ndryshme. Preferohet për konsum në familje dhe lokale.
Rreziku: Me futjen e farërave të importit po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare.