Reklame:

Shqiptaret me te mjeret ne rajon, 28 % e familjeve nuk paguajne dot ujin dhe dritat

28 për qind e familjeve shqiptare kanë vështirësi në pagesën e faturave mujore, të tilla si uji, dritat, qira etj për gjatë vitit 2018, sipas gjetjeve të Barometrit të Ballkanit të këtij viti.

Anketa që përfshiu familjet në të gjitha vendet e Ballkanit evidentoi se në Shqipëri përqindja e familjeve që nuk përmbushin detyrimet për shlyerjen e  faturave të dritave dhe të ujit është më e madhe se në çdo vend  tjetër, madje edhe më e madhe se në Kosovë, e cila për nga niveli i jetesës është në nivele të krahasueshme.

Madje Bosnja dhe Kosova u renditën ndër vendet me më pak vështirësi për përballimin e faturave mujore përkatësisht me nga  9-17% secila. Në Maqedoni shihet se 19 për qind e familjeve e kanë këtë vështirësi, ndërsa në Malin e Zi 20 për qind e tyre.

Pas Shqipërisë nivelin më të lartë të familjeve që nuk i përballojnë faturat e ka Serbia me rreth 23 për qind të familjeve.

Sipas anketës numri i familjeve në vështirësi për të paguar faturat mujore erdhi në ulje në raport me vitin 2017, por gjithsesi janë nivel shumë më të lartë se mesatarja Rajonale.

Gjetja e anketës materializohet edhe në arkëtimet e OSHE-së, ku për rreth 24 për qind e energjisë që hidhet në rrjet nuk merret asnjë pagesë.

Çmimet e energjisë u rritën pesë vite më parë me rreth 20 për qind. Teksa Shqipëria ka çmimet energjisë për konsumatorët në nivelet më të larta rajonale, i ka të ardhurat për frymë në nivelet më të ulta.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës 2012-2017, të ardhurat për frymë të Shqipërisë u rriten me 700 euro, nga niveli 3300 euro arritën në 4000 euro për frymë.

Rritja më e madhe neto e të ardhurave për frymë ka ndodhur në Malin e Zi. Niveli i tyre, nga 5100 euro në vitin 2012 arriti në 6900 euro në vitin 2017, duke u rritur me 1800 euro. Kjo vlerë ishte gati sa dyfishi i rritjes neto të të ardhurave për frymë se në vendet e tjera të Ballkanit. Më pas, për rritjen më të lartë vjen Maqedonia, të ardhurat për frymë të së cilës u rritën me 1100 euro gjatë 2012-2017.  Gjithashtu Serbia dhe Bosnja raportuan rritje të njëjtë të ardhurash për frymë, me 900 euro për periudhën në fjalë. (monitor)