Patëllxhani i Zall Herrit
Specia: Solanum melongena L.
Përhapja: Në Shqipërinë e mesme njihet e kultivohet për më se 70-80 vjet. Fara e tij është mbajtur dhe ruajtur nga vetë bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 5-10 % të sipërfaqes që mbillet në zonë me këtë bimë.
Përshkrimi: Bimë vitale, me kërcej të drejtë e të lartë (mbi 100 cm), pak e degëzuar, me ndërnyje të shkurtra dhe gjethe të mëdha. Kërcejtë dhe gjethet janë me ngjyrë jeshile në vjollcë, kurse lulet ngjyrë vjollcë.
Prodhon 7-8 fruta për bimë. Ata janë të gjatë, cilindrik dhe me maj më të theksuar, me peshë mesatare 150 – 180g. Në pjekjen teknike kanë ngjyrë violet, madje kur rriten në fruta formohen shirita të zbardhur, kurse në pjekjen biologjike marrin ngjyrë banane; tuli ngjyrë e bardhë.
Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e parë të muajit mars dhe fidanët në fushë në fund prillit e fillim të majit. Vjelja e prodhimit fillon në fund të qershorit – fillim të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.
Rendimenti: Rreth 25-35 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.
Negative: Jep prodhim të ulët dhe në fruta formohen shirita me ngjyrë të zbardhët.
Përdorimi: Për të freskët, gatime dhe përpunim në formë turshie, për konsum në familje dhe për tregun lokal.
Risku: Me futjen e farërave të importit po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje