Panamaja është bërë vendi i parë i Amerikës Qendrore që ka ndaluar qeset plastike njëpërdorimshme për të ndalur ndotjen në plazhet e saj dhe për të ndihmuar në trajtimin e asaj që Kombet e Bashkuara e kanë identifikuar si një nga sfidat më të mëdha mjedisore në botë.
Panamaja e cila numëron afërsisht 4 milion njerëz iu bashkua më shumë se 60 vende të tjera të cilat kanë ndaluar plotësisht ose pjesërisht qeset plastike njëpërdorimshme, ose futën taksa për të shmangur përdorimin e tyre, duke përfshirë Kilin dhe Kolumbinë.
Supermarketet, farmacitë dhe shitësit në Panama duhet të ndalojnë menjëherë përdorimin e qeseve tradicionale të polietilenit, ndërsa dyqanet me shumicë do të kenë kohë deri në vitin 2020 në përputhje me politikën e miratuar në vitin 2018. Gjobat mund të aplikohen për mospërputhje por ka përjashtime për përdorimin e qeseve plastike për shkaqe sanitare, të tilla si me ushqimin e papërpunuar.
Në rrugët e Panamasë janë vendosur postere me frazën “më pak qese, më shumë jetë” duke ua kujtuar kalimtarëve se masa për ndalimin e tyre kishte hyrë në fuqi.
“Kjo duket si një masë e mirë sepse mund të shmanget ndotja e rrugëve dhe e komunitetit”, tha Victoria Gomez, një qytetare e Panamasë.
Zogjtë, breshkat, fokat, balenat dhe peshqit shpeshherë janë ngatërruar dhe kanë gëlltitur mbetjet e qeseve plastike në Amerikën Latine, një nga rajonet më biodiversale në botë. Përgjatë bregut të Panamasë, është e zakonshme të shohësh plazhet me mbeturina plastike, sidomos pranë zonave të banuara.
Duke pasur parasysh rritjen e parashikuar të konsumit, pa politikat e reja kundër ndotjes, oqeanet priten deri në vitin 2050 të përmbajnë më shumë plastikë, sipas raportit të Ekonomisë së Re të Plastikës, botuar nga Fondacioni Ellen MacArthur në vitin 2016. Raporti gjithashtu gjeti se e gjithë industria e plastikës do të konsumojë deri në 20% të prodhimit total të naftës.