Qumështi në bidona plastikë dhe produktet e bulmetit në buzë të rrugës janë ende një realitet në qytetet tona.
Në periudhën e verës, rreziku shtohet edhe më shumë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton për kontrolle në shumë subjekte dhe për bllokim të atyre që tregtojnë jashtë standardeve. Por, sa arrijnë të kontrollohen të gjitha pikat e shitjeve të produkteve ushqimore dhe tregjet në Shqipëri? Sa garanci japin institucionet shtetërore për sigurinë ushqimore?
Sipas Dhimo Kotes, zv/ministër i Bujqësisë, “ne jemi nga më të mirët në rajon” përsa i përket sigurisë ushqimore.
“Po diskutohet për prodhimet dhe problemet e tyre. Sot në Shqipëri qarkullojnë produkte të mbrojtjes së bimëve të njëjta me ato në Bashkimin Evropian. Hoqëm TVSH-në e imputeve bujqësore duke eliminuar kontrabandën”, tha Kote në “A2 Business Week”.
Në lidhje me problematikën e shalqirit, zv/ministri tha: “Dua të sqaroj se ne jemi mësuar të hamë shalqi të pashartuar. Në të gjithë botën, shalqiri mbillet i shartuar me kungull dhe kjo po ndodh edhe këtu. Nuk ka rrezik aspak konsumimi i shalqirit”.