Reklame:

Plastika ne det, Shqiperia ne rrezik! – WWF jep alarmin, jemi nje prej 4 vendeve me problematike

Fondi global i jetës së egër (WWF) ka publikuar së fundmi një raport për menaxhimin e mbetjeve plastike të patrajtuara dhe mënyrën se si vendet e Mesdheut mund të shpëtojnë detin e tyre. Nga ky raport, del në pah fakti se, Shqipëria është një prej vendeve më problematike, me përqindjen e mostrajtimit të mbetjeve mjaft të lartë, në 73% sipas të dhënave. Kjo bën që Shqipëria të jetë një prej 4 vendeve me normën më të lartë të mos menaxhimit të mbetjeve në Mesdhe, së bashku me Malin e Zi, Egjiptin si dhe Libinë.

Kjo vjen pavarësisht faktit se, Shqipëria është një vend i vogël, me pak banorë e për rrjedhojë ka edhe një normë mjaft të ulët të gjenerimit të mbetjeve. Pavarësisht kësaj, nuk ka kapacitete për t`i menaxhuar këto mbetje, sipas këtij raporti, dhe një pjesë e madhe e këtyre mbetjeve përfundojnë në det, duke dëmtuar jo vetëm florën dhe faunën por edhe turizmin, në afat-gjatë.

Raporti i referohet mbetjeve plastike, duke thënë se pjesa dërrmuese e saj, në Mesdhe, përfundon nëpër lumenj, e më pas derdhet në det. Organizata rekomandon qeveritë që të bëjnë më shumë, duke filluar me reduktimin e përdorimit të plastikës. (SCAN)