Reklame:

Rritet numri i universiteteve qe ofrojne diploma masteri per ‘kanabis’

Një sfidë e madhe për punëdhënësit në tregun global për marihuanën ligjore, nuk është mungesa e aplikantëve për vendet vakante por mungesa e aplikantëve të kualifikuar.

“Ne kemi një nga industritë më të mëdha që zhvillohet pa asnjë profesionist të trajnuar,” thotë Jamie Warm, bashkëthemelues dhe CEO e Henry’s Original, kultivues dhe distributori i kanabisit me bazë në Kaliforni.

Këtë vjeshtë, Universiteti Cornell, në New York, do të ofrojë kursin universitar “Kanabis- Biologji, Shoqëri dhe industri”, i cili do të përqendrohet në eksplorimin e historisë, kulturës, farmakologjisë, kopshtarisë dhe sfidave ligjore që lidhen me kanabisin. Vitin vijues, ky universitet planifikon të fillojë një cikël për diplomë në master, me theks në aftësitë e komunikimit me gojë dhe me shkrim me mediat dhe palët e interesuara të industrisë, pikërisht për kanabisin.

Gjithashtu, në qershor, Shkolla e Farmacisë e Universitetit të Maryland njoftoi fillimin e një diplome masteri në shkencën mjekësore të kanabisit dhe terapeutikë. Programi dy-vjeçar fillon në fund të gushtit, fill pas periudhës kur Universiteti i Shkencave në Filadelfia do të ofrojë një opsion të ri për studentët e interesuar për të studiuar industrinë e kanabisit. Dhe në Kanada, e cila vitin e kaluar u bë vendi i dytë në botë që legalizoi barërat e jashtëligjshme në mbarë vendin, Universiteti McGill planifikon të ofrojë një diplomë në prodhimin e kanabisit duke filluar nga viti 2020. Në këtë linjë vepron dhe Universiteti i Kalifornisë, Davis, i cili ofron një kurs për studentët e mjekësisë për t’i mësuar ata në lidhje me fiziologjinë e bimëve dhe se si bashkëveprojnë ato me trupin e njeriut. Mjekët dhe farmacistët kanë nevojë për një kuptim të mirë të efekteve të marihuanës, si dhe mënyrën sesi mund të përdoret kjo bimë për qëllime mjekësore.

Numri në rritje i universiteteve që shtojnë diplomat për kanabis, vjen si pasojë e kërkesave imediate të industrive për pasjen e individëve të kualifikuar në këtë sektor, qoftë në kopshtari, kimi, farmakologji, apo komunikimi me mediat dhe ligjin lidhur me përpunimin dhe tregtimin e kanabisit.

Marihuana legale ishte vlerësuar me 13.8 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe pritet të vlerësohet me 66.3 miliardë dollarë deri në vitin 2025, sipas firmës kërkimore Grand View Research.

Gama e ofertave akademike pasqyron gjithashtu përdorimin e zgjeruar të marihuanës, e cila është legalizuar për qëllime mjekësore në 33 shtete të SH.B.A.-së.  Ekziston edhe sfida e dukshme e tërheqjes së profesionistëve në një industri që nuk është plotësisht e ligjshme në shumicën e vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ndërsa legalizimi i marihuanës në SH.B.A. vazhdon të rritet nga shteti në shteti, ilaçi ende nuk është i ligjshëm në nivelin federal. (SCAN)