Reklame:

Temperat e larta, probleme edhe tek kafshet

Lopët që kanë prodhimtari të lartë të qumështit e kanë edhe metabolizmin më të shpejtë, prodhojnë më shumë nxehtësi në organizëm dhe më lehtë ju përballojnë temperaturave të ulëta. Mirëpo situata ndryshon kur janë temperaturat e larta gjatë verës. Te lopët qumështore, efekti i stresit të shkaktuar nga temperaturat e larta është mjaft i dukshëm. Ekspertët thonë se temperaturat e larta te gjedhet ndikojnë në ndjeshmërinë e tyre më të madhe ndaj sëmundjeve që shkaktohen si pasoje e  nxehtësisë së lartë, krahasuar me llojet e tjera të kafshëve shtëpiake. Temperaturat e ambientit, ne zonën ku gjedhet tregojnë rezultatet më të mira të prodhimit, dhe ndjehen më mirë, quhet zona optimale ose termoneutrale. Temperaturat më të ulëta se -10 grade C dhe ato mbi 30 grade C, janë kritike dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e secilës kafshë në prodhim.

Çfarë është stresi i nxehtësisë në përgjithësi?

Stresi i nxehtësisë tek kafshët është një gjendje përmes së cilës rritet temperatura e trupit dhe përshpejtohet frymëmarrja e kafshës që mund të shkaktoj ngadalësim të metabolizmit.Sipas eksperteve shenjat që shkaktohen nga nxehtësia e tepërt te gjedhet janë:

  • Kërkesat për sasi më të mëdha për ujë,
  • Shkaktohet rënia e prodhimit të qumështit si dhe shkaktohen ndryshime në përbërjen e qumështit dhe kulloshtrës
  • Lopët marrin më pak ushqim,
  • Shkaktohet konverzimi i dobët i ushqimeve që marrin gjedhet
  • Dështimet në mbarsim gjatë inseminimit artificial janë shumë më të mëdha. Disa të dhëna tregojnë se vetëm deri 20% e inseminimeve te lopët që janë nën ndikimin e stresit të nxehtësisë , rezultojnë me mbarsim të suksesshëm.
  • Zhvillimi embrional i frytit është i dobët.

Lopët që përjetojnë stresin e nxehtësisë në tre muajt e fundit të mbarësimit, sjellin në botë një viç më të vogël dhe më pak të zhvilluar i cili në laktacionin e ardhshëm prodhon më pak qumësht. Si pasojë e stresit të nxehtësisë, zgjatet trajtimi i kafshëve të sëmura, zakonisht kafshët janë me të lodhura, mëlçia e tyre është më e yndyrshme, mastitet paraqiten më shpesh, abortet janë më të shpeshta dhe reagojnë negativisht ndaj vaksinimit.

Masat që duhet të ndërmerren për të lehtësuar stresin e nxehtësisë

  • Janë disa masa që duhen të ndërmerren për të menaxhuar stresin e nxehtësisë te gjedhet në fermë
  • Njëra nder masat është edhe zgjedhja e races se Lopëve me ngjyra të lehta të cilat mund të përballojnë më mirë stresin e nxehtësisë sesa racat e gjedheve me ngjyrë të errët.
  • Duhet te sigurohet hije në fermë ose jashtë saj, të bëhet përmirësimi i qarkullimit të ajrit përmes ventilimit në fermë, të bëhet furnizimi me ujë të freskët dhe me sasi të mjaftueshme por deri më tani masa më efikase është treguar freskimi i fermës së lopëve duke përdorur ventilatorë të kombinuara me spërkatëse me ujë.

Si masë tjetër e rëndësishme për të zvogëluar efektin e dëmshëm të  stresit të nxehtësisë në performancën e kafshëve është koha dhe shpeshtësia e ushqimit, që do të thotë dhënia e mbi 80% e racioneve të ushqimeve gjatë periudhave më të freskëta të ditës. Pra herët në mëngjes dhe në orët e vona të mbrëmjes.