Reklame:

Tkurrja e fuqise punetore, FMN: Duhen reforma urgjente

Plakja e popullsisë dhe largimi masiv i emigrantëve do të tkurrë ndjeshëm fuqinë punëtore në vend, që pas 30 vitesh pritet të bjerë me 18%. Ky është paralajmërimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili bën apel për reforma urgjente në tregun e punës për të zbutur efektet negative.

Një pjesë e madhe e sipërmarrjeve shqiptare, veçanërisht ato që operojnë në fushën e bujqësisë apo në sektorin fason, deklarojnë se vuajnë nga rënia e krahut të punës. Por kjo situatë pritet vetëm të përkeqësohet, me largimin e mbi 300 mijë shqiptarëve në 30 vitet e ardhshme.

Shqipëria është një prej vendeve që do të ndjejë më tepër presionin fiskal nga plakja e popullsisë, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostove në shëndetësi dhe në skemën e pensioneve. Këta faktorë do të ndikonin në rënien e produktivitetit dhe do të ngadalësonin rritjen ekonomike me 1% në vit.

Politikat kryesore ku duhet të fokusohet Shqipëria, është rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe të punëtorëve mbi moshën 55 vjeç. Reformat do të kërkojnë hapësirë të shtuar fiskale, çka me shumë gjasa do të sjellë rritje taksash.

Sipas FMN, edhe nëse zbatohen masa të suksesshme, Shqipëria do të arrijë të ngadalësojë tkurrjen e forcës së punës me vetëm 10%. I vetmi skenar që do të ndalte ndikimin negativ do të ishte frenimi i emigracionit, një fenomen që vazhdon prej 30 vitesh me një ritëm konstant. (A2)