Sezoni turistik nuk po nxit konsumin edhe pse është në kulmin e tij. INSTAT raportoi sot se, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në korrik arriti 1,5 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,3 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin korrik 2019, krahasuar me qershor 2019, është – 0,1 %.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,07 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,16 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” dhe “Transporti” kanë kontribuar respektivisht me -0,004 dhe -0,003 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Korrik 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me nga 1,3 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Argëtim e kulturë” me nga 1,1 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 %, “Shërbimi arsimor” me 0,7 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Komunikimi” me 0,2 % secili, etj.
Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” u ulën me 0,1 % secili. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 9,5 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 6,7 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,3 %, “peshk” 1,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 1,3 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 0,8 %.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Qershor 2019, çmimet e grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” u ulën me 0,4 % secili, pasuar nga grupet “Pije alkolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 % secili, etj. Ndërsa, çmimet e grupit Transporti” u rritën me 1,0 %, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,6 %. (Monitor)