Sorbeto është ëmbëlsira që i ngjan akullores me fruta dhe që konsumohet veçanërisht në ditët e nxehta të verës. Quhet “sorbet” në anglisht dhe frëngjisht, dhe “sorbetto” në italisht, por prejardhja e saj rrjedh nga fjala “sherbet” në turqisht.
Sorbeto/Shurupi është një lloj pije që i përket kuzhinës turke dhe që ka një histori shumë të lashtë. Ajo përgatitet nga ekstraktet e bimëve, të luleve dhe frutave, e aromatizuar me disa erëza dhe e ëmbëlsuar me sheqer ose mjaltë. Sorbeto është konsideruar “Pija e zotërave”.
Duke filluar nga mesi i shekullit të 16-të shërbeti kaloi një periudhë të artë në Perandorinë Osmane, ndërsa brenda një kohe të shkurtër tërhoqi vëmendjen edhe të ‘perëndimit’. Më pas filluan të eksportohen në Angli. Në të njëjtën kohë në Itali nga koncentratet e sherbetit u prodhuan edhe akulloret me fruta dhe kështu lindi edhe “sorbetto” i famshëm italian.
Sorbetot me fruta janë ideale për ditët e nxehta të verës. Sorbeto me limon është shumë e mirë sidomos pasi keni konsumuar pjata me bazë peshku. Ajo ndihmon për të pastruar shijen që lë peshku në gojë. Prandaj në restorante pasi keni përfunduar ushqimin ju serviret sorbetto, e cila ndihmon edhe në tretje.