Reklame:

Ashpersohet lufta tregtare ne Ballkan, Kosova ndalon mjaltin dhe patatet nga Maqedonia e Veriut

Raportet tregtare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë duke shkuar drejt një bllokade  totale. Shteti fqinjë dy muaj më parë kishte vendosur që të bllokojë eksportin e peshkut nga Kosova. Por, tashmë ndaj këtij vendimi ka reaguar Qeveria e Kosovës.  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për marrjen e masës reciproke ndaj Maqedonisë Veriore në dy produkte.

 Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për marrjen e masës reciproke ndaj Maqedonisë Veriore në dy produkte. Bëhet fjalë për mjaltin dhe patatet të cilat nuk do të lejohen që të importohen në Kosovë që nga dita e sotme. Vendimi futet në fuqi menjëherë.

Ky vendim i është nënshkruar edhe Doganës së Kosovës e cila detyrohet që të zbatojë masat nga pika e parë e këtij vendimi.

“Që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut kam qenë në kontakt me autoritetet e këtij shteti dhe kemi dërguar ankesa nëpërmes sekretariatit të CEFTA-së, por edhe letër personale ministrit të tyre të ekonomisë”, ka treguar  ministri i Tregtisë Endrit Shala.

Ai tutje ka thënë se tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj është i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit tw Kosovës dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet. Reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve të Kosovës gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të ecim përpara. Në rast se ky qëndrim do të vazhdojë ne do të marrim edhe hapa tjerë, jo vetëm ndaj këtij shteti por edhe shteteve tjera. Tashmë asnjë prodhim i Kosovës që eksportohet jashtë nuk do të ketë trajtim të pabarabartë”.

Maqedonia e  Veriut ka vendosur  që nga data 01.06.2019 të bllokojë eksportin e peshkut nga Kosova. Ndaj këtij veprimi kishin reaguar Klubi i Prodhuesve dhe Oda e Afarizmit.

Klubi i Prodhuesve në Kosovë  ka thënë se në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi. Në reagim ka theksuar se tashmë Maqedonia i shtohet listës së anëtareve të CEFTA-s që s’respektojnë marrëveshjet për tregti të lirë me Kosovën, pas Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

“Ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës. Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, thuhet në reagim.

Kurse, Oda e Afarizmit të Kosovës shprehet shumë e shqetësuar me vendimin që ka marr Republika e Maqedonisë Veriore për ndalimin e shitjes së rasadit të Peshkut nga Kosova.

Sipas tyre ky shqetësim është pranuar nga biznesi anëtar “Trofta Istog”.

“Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga data 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova. Me këtë rast Kompanisë Trofta pa paralajmërim të mëparshëm i është kumtuar marrja e këtij vendimi”, thuhet në kumtesën e OAK.

Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. E në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak.(Monitor.al)