Qeveria nuk do të lejojë dëmtimin e malit të Tomorrit nga biznesi i guroreve që veprojnë aty.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, çeli sot serine e diskutimeve publike mbi vlerat dhe rëndësinë e ruajtjes së zonave të mbrojtura. Nisur edhe nga zhvillimet më të fundit, lidhur me vendimin e gjykates administrative për rrëzimin e vendimit të qeverisë për zgjerimin e parkut, takimi i parë fokusohet mbi Parkun Kombëtar Mali i Tomorit. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit në favor të subjekteve private, ministri i Turizimit, Blendi Klosi, deklaroi se mali i Tomorrit do të shpallet Park Kombëtar, duke zgjeruar edhe hartën e mbrojtjes së tij.
Gjatë një dëgjese me ekspertë të mjedisit te organizuar nga Shoqata e Parqeve të Shqipërisë, pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës apeluan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore që mbart mali i Tomorit. “Shumë pjesë të këtij mali mbetën jashtë zonës dhe pastaj u masakruan. Sigurisht këtu kanë përgjegjësi ligjore personat që kanë firmosur në dokumentet e ndikimit në mjedis”, tha Ferdinand Bego, zv.Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Ministria e Mjedisit do të ankimojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa qytetarë të qarkut të Beratit kane nisur mbledhjen e firmave për shpalljen e malit të Tomorrit, Park Kombëtar.
Shoqata e Parqeve të Shqipërisë Shkpsh Shqipëria në kuadër të studimit kombëtar të zonave të mbrojtura financuar nga AKZM, do të vazhdojë të zhvillojë takime të tilla për gjithë zonat e mbrojtura të vendit.