Reklame:

Britaniket shpenzojne mbi 4 mld € per rezerva ushqimore

Britanikët janë duke u përgatitur për skenarin e mundshëm të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian pa asnjë marrëveshje. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, britanikët kanë shpenzuar rreth 4.3 miliardë euro për rezerva ushqimore.

Sondazhi zbuloi se 800 mijë britanikë kishin shpenzuar më shumë se 1.000 euro, për rezerva ushqimore. Produktet e ndryshme ushqimore, ilaçet dhe pijet ishin produktet kryresore për të cilat britanikët shpenzuan shuma të konsiderueshme parash, për t’u përgatitur në rast të një mungese të tyre në treg.

Nëse Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Europian pa nënshkruar asnjë marrëveshje, bizneset kanë parashikuar se do të kenë probleme afatshkurtra me furnizimin. Por një Brexit pa marrëveshje do të krijojë probleme edhe për Europën, duke rritur mungesën e ilaçeve të ndryshme në këtë kontinent. Çdo muaj, rreth 45 milionë pako ilaçe dërgohen nga Britania në pjesën tjetër të bllokut.

Kontrollet e rritura doganore midis Britanisë dhe BE-së mund të ndikojnë gjithashtu negativisht në transportin e këtyre mallrave nga Britania në BE dhe anasjelltas.

Frika e një Brexit pa marrëveshje dhe tkurrja ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar në tremujorin e dytë të këtij viti u shoqëruan edhe me rënien e paundit në nivelin e tij më të ulët të dekadës së fundit kundrejt euros.

(EuroNews)