Me ndihmën e BE-së, ekspertëve të huaj dhe të shtetit malazez, fermerët e vajit të ullirit në Malin e Zi janë duke korrur fitime të mëdha dhe duke ofruar një cilësi më të lartë vaji nga pemët mijëravjeçare në këtë shtet.
Pranë qytetit të Ulqinit, në jug të Malit të Zi, një nga ullishtat aty po prodhon vaj ulliri të një cilësie të lartë, një prej më të mirëve në kontinent, i prodhuar nga pemë të cilat datojnë që në kohën e Krishtit.
Me disa pemë ullinjsh që janë mbi 2.000-vjeçare, ullishta e madhe në rajonin Valdanos pranë Ulqinit në bregun e Adriatikut të krijon të njëjtën ide si ajo e Kopshtit të Gethsemane-it, një kopsht në rrëzë të malit të Ullinjve në Jerusalem.
Përveç pemëve me ullinj, aty ka edhe shumë dele të cilat i kullosin barinjtë e tyre. Peizazhi në muzg është spektakolar me rrezet e kuqërremta të diellit, të cilat krijojnë nga një kurorë për çdo pemë. “Ky është kopshti ynë i shenjtë”, shprehet fermeri 50-vjeçar, Fatmir Sadiku, i cili, ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve në Ulqin, është me origjinë etnike shqiptare dhe flet me pasion të madh për punën e përditshme në këtë ullishte.
Ai ndërthur punën tradicionale në fushën e prodhimit të ullirit me njohuritë e teknologjisë së fundit për metodat e nxjerrjes së vajit të ullirit me cilësi të lartë. Ai ka njohuri të mira për rëndësinë e reklamimit. Historia e këtij vaji (që prodhohet nga pemë mbi 2,000-vjeçare) na ndihmon në shitjen e tij. Njerëzit tërhiqen menjëherë nga ky fakt, por kjo nuk mjafton, – shprehet z. Sadiku, sepse çdo gjë duhet të shoqërohet edhe me certifikatat përkatëse.
Për realizimin e këtij objektivi, ai dhe prodhues të tjerë të këtij rajoni kërkuan ndihmë nga ekspertët italianë dhe ata turq, të cilët erdhën menjëherë për të asistuar kolegët e tyre malazezë. Procesi i identifikimit të moshës së pemëve të ullinjve në rajonin Valdanos është kryer nga Fakulteti i Pylltarisë në Universitetin e Stambollit, duke përdorur metodat më të fundit dendrokronologjike.
Përfundimi i tyre është se mosha e pemëve varion nga 1.000 deri në 2.000-vjeçare. Rreth 85,000 rriten në këtë rajon dhe z. Sadiku zotëron rreth 700 prej tyre, në të cilat ai punon së bashku me fermerë të tjerë, duke ndarë rrjedhimisht edhe fitimet.