Reklame:

Brazili ne qender te kritikave – Zjarret ne Amazone per faj te qeverise Bolsonaro, çeshtja do diskutohet ne G7

Ato që konsiderohen si mushkëritë e botës, pyjet e Amazonës po digjen prej tre javësh tanimë. Amazona është pylli tropikal më i madh në botë dhe sipas shkencëtarëve roli i këtij ekosistemi në luftën ndaj ndryshimeve klimatike është jetësor.

Zjarret këtë vit janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë thonë zyrtarët brazilianë. Për fiset Mura, që janë banorët indigjenë të pyjeve të Amazonës mbrojtja e këtij ekosistemi është një detyrë sublime.

Janë rreth 15 mijë indigjenë Mura që jetojnë në Brazil dhe shprehen se do ta mbrojnë me gjakun e tyre Amazonën. Madje, këto fise trajtohen në mënyrë të veçantë, pasi janë të vetmit që lejohen të peshkojnë apo gjuajnë në zonën e mbrojtur, ashtu siç bënin paraardhësit e tyre, dhe kjo zonë është e shenjtë për ta.

Nga ana tjetër, qeveria braziliane deklaron se nuk ka fonde të mjaftueshme për të luftuar me zjarret në Amazonë. Këtë e deklaroi vetë Presidenti Bolsonaro, javë pasi refuzoi paratë e donatorëve, duke thënë atëherë se nuk kishte nevojë për to.

Bolsonaro deklaroi gjithashtu se, prapa zjarreve qëndrojnë disa organizata jo-qeveritare. Brazili, që strehon 60% tyre Amazonës, po përballet me kritika të ashpra ndërkombëtarisht sa i përket menaxhimit të kësaj situate.

Edhe përpara kësaj situate, Presidenti Bolsonaro është akuzuar se po mbështet masivisht projekte për shpyllëzimin e zonës, dhe për këtë arsye më herët gjatë muajit, Norvegjia dhe Gjermania ndaluan financimin për projekte në vend.

Presidenti Macron ndërkohë deklaroi se, zjarret në Amazonë janë një emergjencë globale dhe do të diskutohen gjatë samitit të G7 që fillon punimet të Shtunën në Francë.