Në vitet e fundit, sektori i peshkimit po rritet me një ritëm të shpejtë. Këtë e tregojnë edhe të dhënat mbi punësimin në sektor të vëna në dispozicion nga INSTAT për “Monitor”.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2018 rezultojnë si tëpunësuar 4,727 individë, duke shënuar një rritje me 74% në krahasim me një vit më parë. Në 2017-n, numri i të punësuarve ishte vetëm 2710, rreth 2000 tëpunësuar më pak.
Ndërsa numri i të punësuarve në industrinë e përpunimit të peshkut numëroi 2898 të punësuar në 2018-n, sipas të dhënave të INSTAT. Numri i të punësuarve shënoi rritje edhe në industrinë e përpunimit, rreth 20% në raport me një vit më parë, megjithëse kompanitë shprehen se po hasin vështirësi me zgjerimin e kapaciteteve njerëzore.
Burime nga Kompania Rozafa, një nga më të mëdhatë në vend për nga të ardhurat, thanë për “Monitor” se një nga vështirësitë kryesore është realizimi i planeve të punësimit dhe kjo sipas atyre vjen nga kërkesat shumë të ulëta për punë. Numri i të punësuarve në kompaninë Rozafa, gjatë 2014-s dhe 2015-s ishte një mesatare prej 162 të punësuar, ndërsa në qershor të këtij viti, numri i tyre arriti në 721 të punësuar, apo rreth çereku i të punësuarve në të gjithë industrinë.
Roland Kristo, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, u shpreh në një intervistë për “Monitor” se shikojnë një interes të ulët nga të rinjtë për t’u angazhuar në sektor. Ai tha se aktualisht, Porti i Durrësit numëron rreth 200 vende të lira pune.
Mungesat në burime njerëzore në sektorin e peshkimit po plotësohen nga të huajt, kryesisht egjiptianët dhe turqit.
Sipas zotit Kristo, një peshkatar i huaj, egjiptian, merr një pagë mesatare prej 700-1000 dollarë në muaj. Një kapiten merr deri në 4500 dollarë në muaj, një motorist mbi 2000 dollarë, pra nuk janë paga të ulëta. Këto paga merren nga të huajt, pasi të rinjtë shqiptarë po edukohen si juristë apo ekonomistë. Ka pasur politika, ka një shkollë në Durrës, por nuk kanë interesin që të punojnë në peshkim, përfundoi ai.
Rritja e punësimit, efekt formalizimi?!
Në fakt, sipas ekspertëve të tregut, një pjesë e rritjes së numrit të të punësuarve i atribuohet formalizmit të sektorit. Një nga kriteret për të përfituar naftën pa akcizë është edhe deklarimi i numrit minimal të punonjësve në varësi të kategorisë së mjetit. Subjektet duhet të kenë të punësuar dhe të regjistruar për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore një numër jo më pak se:
i) (dy) persona për anijet deri në 15 metra gjatësi;
ii) (tre) persona për anijet mbi 15 metra deri në 24 metra gjatësi;
iii) (katër) persona për anijet mbi 24 metra gjatësi.