Reklame:

Bie konsumi i bukes? – Ne 6 muaj, bleme me pak grure dhe miser

Qytetarët shqiptarë duket se kanë ulur konsumin e bukës në gjysmën e parë të vitit. Shifrat zyrtare, të Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë një rënie të ndjeshme të importit të drithërave në vend. Konkretisht, në 6 muajt e parë të 2019, import i grurit dhe meslinit ka rënë me 9.8 për qind, ku janë importuar 94.7 mijë ton nga 113.9 mijë ton që u importuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu, rënie ka edhe import i misrit, ku gjatë këtij viti hynë në vend 48,7 mijë ton, nga 49.9 mijë ton që u importuan në gjashtë mujorin e parë të 2018-ës. Në total, vendi ynë ka blerë nga jashtë 4.1 miliardë lekë drithëra gjatë kësaj periudhe.  Të dhënat tregojnë rënie të konsumit të bukës në vend,  pasi drithërat e prodhuara në vend, më së shumti shkojnë për konsum familjar apo për bagëtinë.

Partnerët kryesore nga ku Shqipëria furnizohet për grurin, miellin dhe thekrën janë Rusia dhe Serbia.  Sipas raporteve të departamenti Amerikan të Bujqësisë, USDA, konstatohet se konsumi i grurit në Shqipëri mbulohet kryesisht nga importi. Shqipëria importon mesatarisht 260,000 -300,000 ton grurë në vit, 49% e të cilit nga Rusia dhe menjëherë pas saj 28% nga Serbia.