Kungulli i byrekut
Specia: Cucurbita moschata L
Përhapja: Në zonën e Alpeve kultivohet për më se 70-80 vjet, fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 30-35 % të sipërfaqes që mbillet në zonë.
Përshkrimi: Bimë me kërcell zvarritës, me lastar të gjatë. Prodhon 3-4 fruta për bimë; me formë cilindrike, me gjatësi 15-20 cm e diametër 20-25 cm, me peshë mesatare 1.5-2.0 kg, nuk përjashtohen rastet edhe më të mëdha; në pjekjen teknike kanë ngjyrë jeshile të errët, kurse në pjekjen botanike ngjyrë të verdhë dhe me mozaik jeshil; tuli ka ngjyrë të bardhë ose të verdhë.
Kultivimi: Mbillet me farë në gropëza, në fund prillit dhe gjatë majit. Zakonisht mbillet në anë ngastra e në ledhe, me largësi 2-2,5 m midis bimëve. Po kështu, është e njohur praktika e mbjelljes së tij në bashkëshoqërim me misrin. Prodhimi fillon në fund të korrikut dhe vazhdon deri vonë në ngricat e vjeshtës. Pas kësaj frutat vilen dhe ruhen për konsum dimëror.
Rendimenti: rreth 20-25 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Nuk ka.
Përdorimi: Për përgatitje të byrekëve, për konsum në familje dhe për tregun lokal.
Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.